Një sulm tjetër ndaj Policisë ndërkufitare të Kosovës ka ndodhur sot në veri të vendit, përkatësisht në Zubin Potok.
Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Reporteri.net se sulmi ka ndodhur në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Sulmi ndaj policisë ka ndodhur me armë zjarri. Sipas Policisë, përveç dëmeve materiale në automjet, nuk raportohet për persona të lënduar.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Reporteri.net.
Në javët e fundit, Policia e Kosovës disa herë ka qenë cak i sulmeve në veri të vendit.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla këto sulme i ka quajtur akte terroriste.
Sulmi i fundit ishte raportuar më 16 prill. /Reporteri.net