×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Dhjetëra qytetarë të mashtruar nga një kompani ndërtimi e banesave, ua morën paratë dhe u zhdukën – disa dhanë 40 mijë euro

    Reporteri
    29 Maj 2025 | 19:47

    Dhjetëra qytetarë, me plot dokumente në duar, i janë drejtuar sot Stacionit Policor në Fushë Kosovë, për të denoncuar mashtrimin që u është bërë për blerjen e banesave. Ata thonë se kanë dhënë paratë për të blerë banesa nga kompania “KENI SH.P.K”, por që personat që ua kanë dhënë paratë janë “zhdukur” e banesat s’janë askund. Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj sjell detaje rreth këtij rasti.

    Bali Rudi, një nga viktimat, thotë se ata janë mashtruar nga kompania “Keni SH.P.K” dhe Burim e Gëzim Hasanaj.

    “Kemi ardh për ta paraqitur rastin për mashtrimin që na është bërë për blerjen e banesave. Jemi diku 15 persona këtu, e paraiqtëm rastin në polici me parakontrata, me dokumente krejt cka i kemi. Banesat janë vlerë në vitet 2017, 2018, 2019 e 2020, por të gjithë jemi të mashtruar prej dy persnave Burim Hasanaj dhe Gëzim Hasanaj”, ka deklaruar Rudi. Sipas tij, disa kanë dhënë nga 24 mijë euro për banesa, disa 30 mijë e të tjerë deri në 40 mijë euro.

    Ai ka thënë se këto para nuk do t’i falë.

    “Jemi deri tash 18 persona dhe nga këtu ju bëj thirrje që të lajmërojnë rastin në Polici sepse ka persona më shumë. Kemi paguar paret, kemi marrë kredia…jemi duke i prit organet. Paret nuk do t’i fali”, ka thënë Rudi.

    Edhe Avdush Behrami ka të njëjtin rast. Ai thotë se sipas parakontratës që kishte bërë, çelësat e banesës do të duhej t’i merrte në qershor të vitit 2021.

    “E kam ble banesën, i kam kontratat e të gjitha. Krejt pagesat I kam bë përmes bankës, në mënyrë legale. Fillimisht me Gëzimin e kam ba kontratën e parë me Keni SH.P.K. Celësat e banesës kemi pas me i marr me 30 qershor 2021. Kur kam ardh këtu, banesa nuk është krye….Jam me qira duke jetu. Llogarinë që e kam ba qe gjashtë vite, diku 20 mijë euro qira kom pagu.Ia kom dhanë 30 mijë euro”, thotë Behrami.

    Sipas avokatit Dren Kukaj, në këtë rast ka elemente të qarta të veprës së mashtrimit.

    “Rishtazi jam përfshirë në rast. Kam arritë që ta bëj një vlerësim fillestar të çështjes. Nga ajo që kam kuptuar është që këta banorë, janë bërë subjekte mashtrimi nga ajo kompani ndërtimi por edhe personat që janë përfshirë si ndërmjetësues të shit-blerjeve të këtyre banesave. Kjo i bjen që ka elemente të qarta të veprës penale të mashtrimit”, ka thënë Kukaj.

    Ai ka thënë se pret që të ketë aktakuzë për këtë rast./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!