×
  • Lajme
  • Lajme

    Dhunë ndaj gruas së tij në sy të fëmijëve, arrestohet gazetari Arben Ahmeti – deklarohet policia dhe avokati i tij

    Reporteri
    27 Shtator 2022 | 12:28

    Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin e dhunës në Laplasellë, ku i dyshuar është gazetari Arben Ahmeti.

    Sipas policisë, drejtori i “Kanal 10” ka ushtruar dhunë në familje. Bëhet fjalë për dhunë ndaj gruas së tij, në sy të familjes.

    “Laplesellë 25.09.2022 – 18:15. I dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi që i njëjti ka shkaktuar dhunë në familje me ç’rast viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton nga policia.

    Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha, i cili deklaroi se nuk bëhet fjalë për dhunë siç është raportuar, por për një mosmarrëveshje verbale çasti e pa asnjë kontakt fizik.

    Por ndryshe shpjegohet ngjarja në raportin e përpiluar nga policia.

    “Më datë 25.09.2022, në ora 18:15, është pranuar kallëzim për dhunë në fshatin Laplla Sellë, rruga Dragovacka. Në vendngjarje ka dalë patrulla si dhe polici hetues në detyrë për dhunë në familje ku sipas V. A. ka pasur konflikt me bashkëshortin. Pra sot më 25.09. 22 rreth orës 18:00 i dyshuari Arben Ahmeti, i cili në atë kohë i kishte sjellur dy fëmijët (5 dhe 6 vjeç) të cilët qëndronin tek ai nga data 23.09.22 për shkak se çifti nuk jetojnë bashkë. Në atë moment ka pasur një konflikt kur viktima/ gruaja e ka pyetur të dyshuarin të qëndrojë në shtëpi me familjen e tij për shkak se ia kanë kërkuar fëmijët të cilët në atë moment qanin për babanë e tyre, i dyshuari ka kundërshtuar duke e ofenduar verbalisht viktimën deri në momentin kur ka pasur kontakt fizik, përkatësisht duke e shtyer me duar nga ana e të dyshuarit. Për shkak të ankthit, stresit, gjendjen e viktimës, patrulla ka kërkuar ndihmë mjekësore për të”, thuhet në raportin e policisë të datës 25 shtator.

    Në këtë raport gjithashtu thuhet se pas grumbullimit të provave dhe intervistimit të viktimës duke qenë se raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, me urdhër të prokurores së shtetit, rasti është cilësuar si “Dhunë në familje” dhe gazetarit Arben Ahmeti i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.

    “Me urdhër të hetuesit, patrulla ka marrë deklaratën e viktimës, si dhe ka kontaktuar me të dyshuarin, ku pas provave të grumbulluara në formën e deklaratës së pjesëmarrësit dhe duke qenë se edhe më parë janë raportuar raste të ngjashme, me urdhër të prokurores së shtetit për dhunë në familje, Edina Jupolli, është urdhëruar fillimi i procedurës penale “Dhunë në familje”, ku të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh në qendrën e paraburgimit në Prishtinë”, thuhet në raportin e policisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!