Autor: Fortuna Shkodra Haliti
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur qe sa kohë. Rundi i fundit i bisedimeve u mbajt më 22 shkurt, ku kryenegociatori i çështjeve teknike në Kosovë, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, zhvilluan takime dypalëshe me zyrtarë të Bashkimit Evropian, por jo një takim të përbashkët, shkruan Reporteri.net.
Bashkimi Evropian, e ndërmjetëson dialogun prej vitit 2011, ndonëse, nuk shihet ndonjë përparim kohëve të fundit. Nga Zyra e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net, se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë është urgjente, ndonëse, Borrelli ka shprehur zhgënjimin e tij se jo gjithçka po ec me ritmin e pritur.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po vazhdon. Si gjithmonë, ne njoftojmë për çdo takim të ardhshëm rreth dialogut kur është koha e përshtatshme. Z.Borrell shprehu zhgënjimin e tij që, edhe pse dialogu po ecën në drejtimin e duhur, nuk është me ritmin e pritur”, tha Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, për Gazetën Online Reporteri.net.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, njëherësh zëvendëspresident i Komisionit Evropian, e dha këtë deklaratë lidhur me ngecjen e dialogut mes këtyre dy vendeve.
“Dialogu nuk po ecën. Unë jam i ngarkuar me këtë dialog dhe nuk po ecën. Të paktën nuk po ecën me ritmin që duhet të ecte. Bashkimi Evropian ka një mandat nga Kombet e Bashkuara për të koordinuar, shtyrë dhe aktivizuar këtë dialog”, u shpreh Borrelli.
Por sa ka ndikuar lufta në Ukrainë, që ta lërë nën hije dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?
Lufta në Ukrainë, e cila ka nisur me pushtimin rus prej 24 shkurtit, u pa si ndikim në ngecjen e dialogut.
Nga zyra e Borrellit, megjithatë thonë se kjo luftë, tregon më së miri se sa urgjente është paqja dhe stabiliteti në këtë kohë në Evropë, ndërsa mohojnë se lufta në Ukrainë ka qenë shkak që BE-ja të mos ketë fokusin në dialog.
“Lufta në Ukrainë tregon qartë se paqja, stabiliteti dhe pajtimi në Evropë janë urgjente dhe të nevojshme. Serbia dhe Kosova mund të udhëheqin dialogun me një shembull duke bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë palët në këtë rrugë duke lehtësuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo do të dërgonte një sinjal të fortë pozitiv për të gjithë partnerët dhe miqtë e tyre në gjithë botën”, tha tutje Stano për Reporteri.net.
Stano tha se synim i BE-së, është shtyrja përpara e arritjes së një marrëveshjeje që do të normalizonte marrëdhëniet.
“BE-ja ka thënë vazhdimisht se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve është urgjente, pasi status quo-ja nuk është e favorshme për asnjërën palë”, tha Stano në përgjigjen për Reporteri.net.
Së fundi, edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila ishte për vizitë në Prishtinë më 10 mars, kërkoi vazhdimin e dialogut.
Ajo u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe tha se Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet në Bruksel përmes Bashkimit Evropian.
“Kemi nevojë për progres të dukshëm në dialog, në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Baerbock.
Të nesërmen, më 11 mars, të njëjtën porosi e ka përsëritur në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq./Reporteri.net