Autor: Blendi Gashi
Dramatike gjendjen me COVID-19 në Kosovë po e sheh një ish-Ministër i Shëndetësisë.
Imet Rrahmani i LDK-së ka thënë se si mjek rekomandon se Qeveria e Kosovës duhet fokusuar në masa që garantojnë respektimin e tri masave bazë në mbrojtje nga virusi derisa nuk e kemi vaksinën.
Ish-ministri i Shëndetësisë nga Lidhjes Demokratike e Kosovës, thekson se diçka duhet bërë. S’është i prerë nëse duhet kthyer masat e rrepta të izolimit, por thotë se duhet ndjekur shembujt e vendeve tjera.
“Ne s’kemi rrugë shumë, të ndjekim shembujt e vendeve tjera, kaq”, ka thënë Rrahmani për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
“Ndërsa politika i ka edhe disa parametra të tjerë që duhet ti rivlerësoj në kohë reale. Tash për tash situata është dramatike, diçka duhet bërë”, thotë ai.
“Rastet pozitive po shtohen, izolimi i këtyre rasteve nga të tjerët ju ka lënë ndërgjegjes dhe vetëdijes personale të individit, spitalet janë të stërngarkuara e punëtorët shëndetësor të stërlodhur”, i tha Reporteri.net, Imet Rrahmani, të mërkurën.
Edhe Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mjeke me profesion, thotë se gjendja aktuale me pandeminë është problematike.
Ajo thotë se Qeveria Kurti duhet ta bëjë një analizë të mirëfilltë para se të marrë vendimet për mbyllje apo jo.
“Kosova është vend i varfër dhe me një gjendje të rëndë ekonomike, andaj duhet të ruhen bizneset që të mos mbyllen totalisht, por duhet monitorohen”, tha Kadrijaj.
“Qeveria e re duhet ta bëjë një analizë logjike dhe të arsyeshme, të debatohet me shtabet emergjente, njerëzit kompetent, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Klinika Infektive dhe në bazë të rasteve të marrë edhe masat konform rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, thotë deputetja e AAK-së për Reporteri.net.
Shton se pa një vetëdijesim është e pamundur të zvogëlohet numri i madh i rasteve me Covid-19, andaj thotë se personat që rezultojnë pozitiv duhet të mbikëqyren nga institucionet gjegjëse nëse po respektojnë izolimin në mënyrë që të mos e përhapin virusin.
Ndryshe, shumë shtete të Evropës thuajse kanë rikthyer ashpërsimin e masave anti-Covid, shkaku i rritjes së infektimeve dhe vdekjeve. Rastet janë rritur ndjeshëm edhe në Kosovë, ashtu si edhe numri i vdekjeve.
Megjithatë, vendi ynë vazhdon të jetë i “lirë” dhe pa ndonjë masë parandaluese për përhapjen e virusit, përjashto bizneset që mbyllin punën e tyre në ora 22:00. Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë, sipas IKSHPK janë regjistruar 17 vdekje nga COVID, derisa 781 persona kanë rezultuar pozitiv në testet SARS-COV-2, duke e çuar në 12 mijë e 808 numrin e kosovarëve aktiv të infektuar me Coronavirus. /Reporteri.net/.