Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot ka publikuar një video nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për të treguar se në atë zonë po patrullojnë.
Në këtë video, KFOR shkruan për njësitë K9, që janë ekipe speciale me qen të trajnuar, të cilët mund të detektojnë eksplozivët dhe të sinjalizojnë ushtarët.
“Njësitë K9 janë ekipe speciale me qen shumë të trajnuar. Ata rregullisht kryejnë inspektime për të mbajtur sigurinë dhe qetësinë. Ata mund të detektojnë eksplozivët si ato sipërfaqësore si ato nëntokësore. Kur një qen zbulon një eksploziv ai ulet dhe sinjalizon stërvitësin e tij. Lidhja mes qenit dhe pronarit të tij është esenciale për suksesin e ekipit”, thuhet në përshkrimin e videos.
KFOR continues to implement its mandate – based on UN Security Council Resolution 1244 of 1999 – to provide a safe and secure environment for all people living in Kosovo. pic.twitter.com/PwfMQDR1qy
— NATO Kosovo Force – KFOR (@NATO_KFOR) July 19, 2024
Të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, diskutoi për hapjen e Urës së Ibrit.
Për mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit, Kurti tha se Qeveria e Kosovës do që të zbatohet ligji dhe liria e lëvizjes. Sipas tij, hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt, por është për qytetarët.
Ai theksoi se hapja e kësaj ure i ndihmon njerëzit në të dy anët në aspektin e tregtisë e bashkëpunimit, dhe se nuk i duket në rregull që vetëm kjo të mbetet e mbyllur për vetura.
“Është marrëveshje e para shumë vjetëve në Bruksel, nga dekada e kaluar. Ne e dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe liria e lëvizjes. Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër nuk është kundër askujt, por është për qytetarët. I ndihmon njerëzit në të dy anët gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin. Janë edhe tri ura tjetra, e të ngelet vetëm kjo mbyllur për vetura s’më duket në rregull. Edhe kjo urë do duhej të jetë e hapur, madje para shumë viteve në njërën prej marrëveshjeve të Brukselit, hapja e plotë e urës është quajtur simbol i normalizimit, pra është përdorur nga vetë Bashkimi Evropian, në vitet 2014-2017. Kundër askujt, por për të gjithë”, tha Kurti.
Në fund të majit, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për trafik.
Kjo urë që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë veriore, të banuar me shumicë serbe.
Në prill të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut vendosi që ura të hapej edhe për trafik. Por, vendimi nuk është zbatuar ende.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.
Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR. /Reporteri.net/
Hapja e urës së Ibrit – Kush e kërkoi dhe e kujt është përgjegjësia