Këshilltari i Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi, në një intervistë ka deklaruar se duhet dënuar ata që kanë kryer krime gjatë luftës.
Ndaj kësaj deklarate ka pasur reagime të ndryshme, ku njëri prej tyre është edhe djali i mjekut të zhdukur në luftë, Hafir Shalës, i cili tha se trendi i njollosjes për të kalurën është bërë trend nga një pjesë e partive politike për përfitime ditore, shkruan Reporteri.net
Ndër të tjera, Gentrit Shala, ka treguar se është prekur me deklaratat e fundit të Gashit, ku ky i fundit hedh akuza të cilat duhet të jepeshin para prokurorisë me argumente.
Theksojmë se shkarkimin e këshilltarit të Kryeministrit e kërkuan edhe shumë të tjerë, ndër ta edhe ky i fundit i cili tha se ka fyer të kaluarën.
Postimi i plotë:
Reagim ndaj tendencave të njollosjes së të kaluarës tonë në luftën çlirimtare
Une, djali i Heroit Hafir Shala, me neveri i hedhë poshtë tendencat e vetfajësimit, për të kaluarën tonë, sepse, lufta për çlirim ishte e shenjtë, në pajtim me të gjitha normat ndërkombëtare dhe çdo tendencë për ta njollosur, është e turpshme dhe e papranueshme.
Trendi i njollosjes të së kaluarës tonë, është bërë trend i një pjese të partive politike, për përfitime ditore dhe ky trend nuk ju bën nder as atyre, as individëve të motivuar nga ky trend për përfitime të politikës ditore.
Jam i prekur thellë me deklarimin e këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Shkëlzen Gashi, i cili hedh akuza të cilat duhet të jepeshin para prokurorisë me argumente.
Në mungesë të argumenteve për deklaratat në T7 të z. Gashi më 24.4.2020, kërkojmë nga Prokuroria për të ndërmarrë veprimet e duhura ndaj tij dhe për të penguar trendin e akuzave të pa baza jo vetëm nga partitë politike, por edhe individëve, të cilët flasin pa argumente me qëllim të njollosjes së të kaluarës tonë.
Si djal i Heroit Dr.Hafir Shala, nga kryeministri në detyrë, z. Kurti, kërkojë shkarkimin e menjëhershëm të këshilltarit të tij, z. Gashi, sepse ai ka fyer të kaluarën tonë, mundin shekullor për çlirim, të kaluarën heroike të dëshmorëve të UÇK-së e cila me luftën e drejtë, mori edhe përkrahjen nga NATO dhe bota demokratike.
Me nderime,
Gentrit Hafir Shala.