Kosova është shenjëzuar me “2” në një dokument të Bashkimit Evropian ku njoftohet agjenda e samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet të premten më 16 maj në sheshin Skënderbej në Tiranë.
Zakonisht, në dokumentet e BE-së, Kosova paraqitet me një fusnotë (*) që bën referencë ndaj Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë. Kështu kishte ndodhur edhe në samitin e kaluar në Hungari.
Kësaj radhe, megjithatë, në agjendën zyrtare Kosova figuron me numërim dhe jo me asterisk, edhe pse sqarimi në fund të dokumentit mbetet i njëjtë: “Ky përcaktim është pa paragjykim për pozicionet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së”.
Por, me një njoftim tjetër për këtë samit të sivjetshëm, BE në faqen e saj zyrtare ka përdorë asteriskin në prezantimin e Kosovës për shtetet pjesëmarrëse.
E bashkorganizuar nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, samiti i Komunitetit Politik Evropian do të bashkojë liderë nga e gjithë Europa.
Motoja e takimit është “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.
Kosova në këtë samit e përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani.