Takimi i sotëm i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe të nominuarit për kryeministër Avdullah Hoti me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ka rezultuar me marrëveshje.
Të dy liderët e partive kanë hedhur firmat në një dokument që specifikon të gjitha detajet e koalicionit, shkruan Reporteri.net.
Por, përvec me AAK-në, në këtë dokument konfirmohet se LDK-ja është dakorduar edhe me Nisman e Listën Serbe, e po ashtu edhe me deputetët e tjerë të komuniteteve joshumicë.
Në pikën 1 të marrëveshjes specifikohet se LDK, AAK, Nisma, AKR, Lista Serbe dhe të tjerët nga komunitetet, do të qeverisin bashkë.
“LDK dhe AAK pajtohen për të qeverisur së bashku në nivelin qendror, në mandatin e legjislaturës së shtatë në një koalicion të drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Nisma SOCIALDEMOKRATE, Aleanca Kosova e Re(AKR), Lista Serbe(LS) dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë(joserb) në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në marrëveshje.
Ky dokument është një konfirmim për ekzistimin e dakordancës në mes të LDK-së dhe partive të tjera si NISMA, AKR e LS, të cilat akoma zyrtarisht nuk janë deklaruar./Reporteri.net