Gazetari dhe ish-diplomati, Donat Syla ka thënë se 26 prilli është dita e fundit për konstituimin e Kuvendit dhe se në rast se kjo nuk ndodhë, atëherë Presidentja Vjosa Osmani ka të drejtë ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai ka thënë se përgjigja e menjëhershme e Osmanit ndaj letrës së Kryesuesit të seancës, Avni Deharit, nuk ishte e rastësishme.
“Jo rastësisht edhe presidenca në mënyrë të menjëhershme i përgjigjet letrës që ia ka dërguar deputeti më i vjetër Avni Dehari dhe brenda ditës thotë në mënyrë eksplicite që duhet të mbahet seanca e rradhës jo më larg se 48 orë nga dita kur ka dështuar seanca për shkak se më 27 mars është bërë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe nga 27 marsi deri me 26 prill janë saktësisht 30 ditë. Nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda 30 ditëve sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenca ka të drejtë, ka mandatin dhe detyrimin ligjor dhe kushtetues që ta shpërndaj këtë kuvend dhe t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme që duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Zvarritjet mund të vazhdojnë pafundësisht për zgjidhjen e kryetarit të kuvendit mirëpo për konstituimin e Kuvendit dita e fundit eshte 26 prilli”, ka shkruar Syla.