U kritikua shumë për fjalimin e sotshëm në Forumin e Dubrovnikut në të cilën tha se s’duhet fajësuar BE për gabimet që Kosova i ka bërë. E raportimet e mediave për fjalimin e saj, duket se e ka penguar Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Kjo e fundit ka shkruar në Facebook se kundër saj po fabrikohen lajme të rrejshme.
Në postimin e saj, Gërvalla thotë se një qasje e tillë e tjetërsimit të deklaratave, siç e cilëson ajo, ka nis të bëhet qysh nga dita kur u bë kryediplomate.
“Fabrikimi i lajmeve të rreme dhe mashtrimi i opinionit nuk është në rregull dhe nuk i bën nder as atyre që i publikojnë, dhe as atyre që më pas mezi presin t’i komentojnë mashtrimet e tilla”, shkroi Gërvalla.
Por, ministrja që shpesh kritikohet për fjalime e qëndrime problematike, thotë se për të këto kritika janë të mirëseardhura.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq,
që nga marrja e detyrës si Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, portale të caktuara mediale fjalët e mia jo rrallë i kanë paraqitur në formë aq të tjetërsuar, sa krijohet përshtypja të jetë thënë pikërisht e kundërta e asaj që është thënë në të vërtetë.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe sot dhe një qasje e tillë është për keqardhje.
Kritika është e mirëseardhur dhe e domosdoshme. Fabrikimi i lajmeve të rreme dhe mashtrimi i opinionit nuk është në rregull dhe nuk i bën nder as atyre që i publikojnë, dhe as atyre që më pas mezi presin t’i komentojnë mashtrimet e tilla.
Gabime të tilla mund të evitohen shumë lehtë duke komentuar vetëm atëherë, kur dihet burimi dhe përmbajtja e tekstit të plotë.