×
  • Lajme
  • Lajme / Propozimi i ri

    Draft-statuti për Asociacionin, Osmani: Janë dy-tri gjëra që krijojnë dykuptimësi dhe krijojnë probleme në praktikë – duhet patjetër të sqarohen

    Reporteri
    21 Nëntor 2023 | 15:31

    Gjatë ditës së sotme, pas ndarjes së çmimit për “Guxim-Vasfije” për doktorin Shukri Gërxhaliun, e para e vendit, Vjosa Osmani ka folur para mediave lidhur me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se ka çështje të cilat duhet të sqarohen pasi krijojnë dykuptimësi, e që siç tha ajo në praktikë mund të shkaktojnë probleme, shkruan Reporteri.net.

    Osmani shpreson që ato mund të eleminohen edhe në këtë fazë, para se drafti të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë si presidente e vendit do t’i dorëzojë komentet. Unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur, i kanë të gjithë akterët relevantë të cilët kanë qenë të involuar në përgatitjen e këtij drafti, përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese. Mirëpo në qoftë se jo unë jam e bindur që Gjykata do i sqarojë ato duke u bazuar edhe në interpretimet e vetë gjykatës që i ka dhënë në vitin 2015, shumë prej të cilave janë si parime udhërrëfyese tani për çfarëdo asociacioni”, deklaroi Osmani.

    Presidentja tha se respekton kërkesën e euro-amerikanëve për të mos bërë publike komentet, pa u publikuar drafti, por që një gjë të tillë e cilëson të padrejtë, pasi siç theksoi ajo drafti do duhej të ndahej edhe me liderët e opozitës.

    “Meqenëse është kërkesë e vet emisarëve ndërkombëtarë që mos t’i bëjmë publike komentet, pa i bërë ata vet publike draftin që e kanë prezantuar, do ta respektoj këtë kërkesë. Edhe pse mendoj që nga fillimi ka qenë e padrejtë dhe tërësisht e pa arsyeshme që ky draft mos të ndahet edhe me liderët e opozitës. Ata përfaqësojnë si parti politike qytetarë të Republikës së Kosovës, kështu që si presidente kam insistuar nga dita e parë që ky draft të ndahet edhe me ta dhe shpresoj shumë që së shpejti ata që janë autorë të këtij dokumenti do ta japin edhe miratimin për një gjë të tillë”, tha Osmani para gazetarëve.

    Osmani tha se shumë prej parimeve në dokumentin e vitit 2015, tani nuk janë në draftin aktual, por që ato dy tri gjëra duhet të rregullohen, qoftë edhe nga Kushtetuesja.

    “Në vitin 2015 ka pasur një dokument parimesh, i cili është dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Shumë prej atyre parimeve të vitit 2015 janë shpallur kundër kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Dhe parime të tilla, shumë prej tyre nuk janë tani në draftin aktual. Janë dy-tri gjëra të cilat krijojnë dykuptimësi dhe natyrisht që ato duhet të adresohen, qoftë para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese, qoftë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Por patjetër duhet të sqarohen përfundimisht në mënyrë që të mos lejohen ashtu si janë të hyjnë në fuqi, sepse mund të krijojnë probleme në praktikë”, përfundoi presidentja Vjosa Osmani./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!