×
  • Lajme
  • Lajme / Sulmi në veri

    Drejtori i policisë: Në sulm u përdorën 15 deri në 20 kg eksplozivë, kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar

    Reporteri
    30 Nëntor 2024 | 18:17

    Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë sulmit të mbrëmshëm në Ibër-Lepenc janë përdorur sasi të konsiderueshme e eksplozivit nga 15-20 kg, ndërkaq tha se në bazë të hetimeve deri tash “kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar”.

    “Në bazë të hetimit të vendit të ngjarjes dyshohet se në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit  nga 15-20 kg, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe e cila është aktivizuar me detonatorë mekanikë përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

    Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër-Lepencit dhe që është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete, si dhe duke rrezikuar tejmase edhe me energji elektrike, apo edhe rrezikun për pasoja më të rënda për avari në sistemin energjetik të Kosovës”.

    Është e qartë që kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar dhe të cilët kanë njohuri dhe shkathtësi në përdorimin e mjeteve shpërthyese”, tha Hoxha.

    Ai tha se janë sekuestruar prova të shumta materiale që mund të ndërlidhen me këto raste apo edhe me raste të tjera që po hetohen nga Policia e Kosovës.

    Ai tha gjatë bastisjeve të sotme kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

    “Janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore apo zolla, prej të cilave tri janë të përdorur, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për lëndë plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, kartëmonedha në euro dhe dinarë dhe pajisje tjera elektronike. Po ashtu në një rast të ndarë në Zveçan sot, Policia e Kosovës ka gjetur të fshehur sasi të konsiderueshme të armatimit dhe gjësendeve si në vijim: dy armë automatike AK-47, tri revole, një armë e gjuetisë, dy armë rekreative, gjashtë karikatorë të armës K 47, municion të kalibrave të ndryshëm e uniforma ushtarake”, tha Hoxha. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!