Drejtori i Policisë paralajmëron arrestime të tjera në Veri

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, ndërsa ka folur për aksionin e sotëm në Veri ka bërë të ditur se jo të gjithë personat e dyshuar si të involvuar në vepra kriminale janë arrestuar. Por ai ka paralajmëruar se ata do të arrestohen herët apo vonë.


“Operacion i vështirë, por mjaft i suksesshëm. Është arritur qëllimi që personat e përfshirë në vepra kriminale janë arrestuar. Kemi arritur që pa pasoja të rënda në njerëz ta kryejmë këtë aksion. Disa individë kanë arritur të largohen, ata do të jenë në kërkim, dhe herëdokur do të arrestohen”, ka thënë Qalaj për RTK-në, ndërsa ka shtuar se situata momentale është e qetë dhe normale.

Edhe Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka pranuar se nuk janë arrestuar të gjithë personat e dyshuar por ka përcjellë mesazhin e njëjtë.

“Për fat të keq jo të gjithë janë arrestuar, por ne e vlerësojmë si sukses, duke pasur parasysh numrin e madh të dyshuarve dhe pjesën ku është dashur të veprojnë Polica sot. Por presim, nuk heqim dorë edhe për personat që sot Policia nuk i ka hasur”, ka thënë Hoxha, për RTK, shkruan Reporteri.net.

Ai më tej ka dekalruar se operacioni i Policisë ka përfunduar, përndryshe hetimet vazhdojnë.

“Hetuesit e këtij rasti vazhdojnë me grumbullimin e provave. Hetimet janë në vlugun më të madh. Tash e kemi më të lehtë, sepse jemi në një fazë më përfundimtare, më afër realitetit”, tha ai.

Ndërkaq Miradije Kelmendi, kryeshefe e Inspektoratit Policor, ka thënë se veprimi i sotëm nuk është i drejtuar vetëm ndaj një komuniteti etnik.

“Bastisjet janë kryer në disa lokacione dhe jo vetëm në katër komuna të Kosovës. Kemi të arrestuar njëmbëdhjetë zyrtarë policore të nacionalitetit serbë, katër boshnjakë dhe katër shqiptarë”, ka theksuar ajo.

Kujtojmë se Policia e Kosovës ndërmori aksionin në pjesën veriore të Mitrovicës kundër krimit të organizuar, rreth orës 6 të mëngjesit, me ç’rast arrestoi 19 punonjës të policisë, 11 prej tyre të nacionalitetit serb, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë.

Policia hasi në probleme gjatë bastisjes në Zubin Potok, me ç’rast mbetën të plagosur katër zyrtarë policorë, por të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

Pos policëve në këtë operacion në pranga përfunduan edhe disa qytetarë.

Policia ka arrestuar edhe një zyrtar ndërkombëtar të UNMIK-ut, i cili është shtetas rus dhe një zyrtar tjetër lokal, çka UNMIK-u ka konfirmuar lirimin e tij.

Po ashtu janë konfiskuar edhe gjëra të ndryshme ilegale që do të shërbejnë si prova materiale si armë, pajisje teknologjike dhe sasi parash.

Serbët lokal të revoltuar me aksionin e policisë vendosën barrikada në rrugë, por që policia reagoi dhe i hoqi ato.

Pamje nga e gjithë ajo çfarë ndodhi sot në Veri