Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë “Isa Grezda”, Hilmi Shala i ka quajtur shpifje deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, se ka mungesë të bocave të oksigjenit.
“Gjendja është shumë e mirë, kemi boca të oksigjenit mjaftueshëm dhe sipas numrit të pacientëve furnizohemi kohë pas kohe”, ka thënë ai.
Drejtori Shala konsideron se deputeti Batusha po e shfrytëzon pandeminë për të mbledhur poena tek elektorati.
Shala njëherit ka bërë thirrje t’i lënë të qetë të kryejnë detyrën e tyre profesionale, në këto momente tejet të vështira.
“Janë propagandë e Agon Batushës, i cili po e shfrytëzon pandeminë dhe të sëmurit për të mbledh një grusht vota elektorale. I bëj thirrje deputetit në fjalë t’i lëjë rehat mantelbardhët ta vëjnë punën e vet, turp ju qoftë kush përzihet në shëndetësi këto momente”, ka thënë ai për indeksonline.
Ai poashtu ka përmendur faktin se deklaratat e tilla nxisin panik tek të sëmurët, gjë e cila mund të ndikojë drejtëpërdrejt në gjendjen e tyre shëndetësore.
“Propagandat e tilla ju shkaktojnë panikë pacientëve, është turp që një deputet i tillë në kohë pandemie, në kohë luftë bënë deklarata të tilla”, shtoi tutje ai.
Ndryshe, aktualisht në Spitalin e Gjakovës janë të shtrirë 91 pacienta të prekur nga Covid19.