Drejtori i Urbanizmit në Deçan lihet në arrest shtëpiak, refuzohet kërkesa e Prokurorisë për paraburgim

Gjykata Themelore në Pejë, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Drejtorit të Urbanizmit në Deçan, Ramë Melaj, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.


Siç njofton Gjykata, “ I pandehuri R.M me datat 03.03.2020, 06.08.2020, 29.12.2020 në objektin e K.D, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, e duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim, si dhe në dëm të dëmtuarës DAPK në Pejë lëshon vende për lejimin e ndërtimit të objekteve, në atë mënyrë që, i pandehuri si Drejtor i DUMM në D duke mos qenë person zyrtar i autorizuar me rastin e pranimit të kërkesës nga Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim, i njëjti lëshon vendimin për leje mjedisore komunale dhe lejon ndërtimin e objekteve në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të cilën zonë nuk mund të lëshohet asnjë leje ndërtimore në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna”.

Me çka kishte për të kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 dhe nenin 77 të KPRK-së, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës.

“Të pandehurit R.M gjykata, iu caktoj masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji duke vlerësuar se është masë e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë meqë, në këtë fazë të procedurës ende janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të identifikimit të provave të reja ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri gjykata vlerëson se i njëjti lehtësisht mund të asgjësoj, ndryshoj apo fshehë provat e veprës penale me qëllim të shmangies apo zvogëlimit të përgjegjësisë së tij penale e me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale.

Gjykata sipas detyrës zyrtare shqyrtoj edhe masat e tjera alternative dhe gjeti se masa e arresti shtëpiak, si masë më e butë, është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe në funksion të zhvillimit pa pengesa të procedurës penale dhe se masat tjera nuk do të ishin adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”.