×
  • Lajme
  • Lajme / Shpalosen detaje

    Dritarja për Investime e Diasporës, mundësi për kredi investuese deri në 100 milionë euro

    Reporteri
    16 Korrik 2024 | 10:48

    Sot është bërë lansimi i “Dritares për Investime të Diasporës” nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore në partneritet me projektin e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID) për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se si Qeveri kanë dhënë  zotimin që të kontribuojnë me 8 milionë euro kapital shtesë në Fondin për Garaci Kreditore, ndërkaq Fondi për Garanci Kreditore në anën tjetër ka ofruar 2 milionë euro dhe me këtë 10 milionë euro, ai tha se mundësohet garantimi i deri në 100 milionë euro kredive që mund të lëshohen për anëtarë të mërgatës që janë të interesuar të kthehen dhe të investojnë në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Në fillet e kësaj ideje, qëllimi ka qenë që të zgjidhet një problem i cili vazhdimisht është hasur. Duke qenë aktivë në shtetet ku jetojnë, Zvicër, Francë, Angli e shtetet tjera atje kanë pasur hsitorik kreditor, dhe bankat u kanë lëshuar kredi, por nuk u kanë lëshuar kredi për të investuar në Kosovë.

    Në anën tjetër, kur kanë ardhur në Kosovë dhe kanë tentuar që qasen në financat e bankës që si biznes i diasporës nuk kanë pasur historik kreditor në Kosovë dhe kryesisht janë trajtu si biznese start-up pa historik. Kjo ka kriju një hendek dhe shpërputhje që të vlerësohet risku i këtyre bizneseve dhe të kreditohen si investues.

    Nga diskutimet që kemi pasur kemi ardhur në përfundimin që një gjë e tillë është e nevojshme .

    Sa i përket masës kemi tashmë një marrëveshje, draft që pret për tu nënshkruar. Ne si Qeveri  kemi dhënë zotimin që të kontribuojmë me 8 milionë euro kapital shtesë në Fondin për Garaci Kreditore, ndërkaq Fondi për Garanci Kreditore në anën tjetër ka ofruar 2 milionë euro dhe me këtë 10 milionë euro mundësohet garantimi i deri në 100 milionë euro kredive që mund të lëshohen për anëtarë të mërgatës tonë që janë të interesuar të kthehen dhe të investojnë në Kosovë”, tha Murati.

    Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se përmes dritares së investimeve mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërsa dritarja e tërësishme parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro.

    “Me dritaren po krijojmë mundësinë ta shndërrojmë mërgatën tonë nga investitor pasiv, në investitor aktiv që investojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe krijimin e vendeve të punës. Përmes saj mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërsa dritarja e tërësishme parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro. Përveç kapitalit financiar, mërgata jonë do të sjellë edhe aftësitë e njohuritë nga vendet ku jetojnë e punojnë aktualisht”, tha Kurti. /Reporteri.net/

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!