Dukagjini mund të mbetet pa autostradë, fituesit e zgjedhjeve e konsiderojnë si projekt të interesave private

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicioni i mundshëm me LDK’në e ka vënë në rrezik projektin për ndërtimin e një autostrade që do të lidhte Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën dhe Prizrenin, e njohur ndryshe si Autostrada e Dukagjinit, pasi qytetarët nuk ua dhanë ndonjë mbështetje të rëndësishme partive që e promovonin atë. Por, në rast se ndërtohet, kostoja e kësaj autostrade bashkë me shpronësimet, sillet rreth 1 miliard euro


Istogu, Peja, Deçani, Gjakova e Prizreni me gjasë nuk do të lidhen mes vete me autostradë. Duket se rruga që i lidh këto qytete vetëm do të zgjerohet. Gjithë kjo ngase partia që e kishte premtuar ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit ka dalë e katërta në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor.

Ndonëse një projekt i tillë ishte kundërshtuar nga të gjitha partitë, koalicioni AAK-PSD gjatë gjithë fushatës u kishte dhënë fjalën banorëve të këtyre qyteteve se ndërtimi i kësaj autostrade është punë e kryer.

Por, partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrah ndërtimin e një autostrade të tillë e as partia që mund të jetë me të në koalicion, LDK.

Zyrtarë të VV’së para disa javëve për Gazetën Express kishin thënë se gjithçka është bërë ad hoc.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, i kishte thënë Gazetës Express se Ministri Pal Lekaj ka marrë vendim për variantin final të këtij projekti pa analizë paraprake të fizibilitetit, pa arsyeshmëri ekonomike dhe në kundërshtim me të gjitha planet hapësinore në Kosovës.

Sipas Aliut, ky projekt është në shërbim të interesave private.

“Cenimi i pakthyeshëm i tokave bujqësore nën komasacion dhe me sistem ujitjeje, përveçse është dëm ekonomik është edhe veprimtari e ndaluar me ligj. Vendimi ad-hoc si dhe caktimi ad-hoc i korridoreve të autostradës është pikërisht modeli i kësaj Qeverie, e cila improvizon projekte të pastudjuara në shërbim të interesave private të mirëpërllogaritur”, kishte thënë Aliu.

Aliu kishte thënë se miliardëshi i paraparë për autostradë do të mund të shkonte për rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë në Rahovec dhe subvencionimet e projektet që avancojnë teknologjinë përpunuese të prodhimeve bujqësore.

“Përse të shpenzohen 1 miliard euro për autostradën kur parashihen projekte edhe për zgjerimet e rrugëve ekzistuese. Rruga Prizren-Gjakovë është në projekt të zgjerohet në 4 shirita? Përse paralel me këtë rrugë të ndërtohet autostradë? Njëjtë me këtë projekt, Qeveria po punon drejt projektit të vazhdimit të autostradës deri në Merdarë ndërkohë që ka filluar zgjerimi i rrugës ekzistuese me katër shirita dhe kjo autostradë do të jetë paralel me këtë rrugë me një distance 1-5 km nga ajo”, thuhej në përgjigjet e Aliut.

Sipas VV’së, qasja jo zhvillimore dhe korruptive qeverisëse në vend se të nxjerrë në pah potencialet e Kosovës ia ngulfat ato dhe se për këtë arsye zonat më të mëdha pjellore në vend po braktisen nga banorët.

Gazeta Express ka provuar që të kontaktojë me ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn që të marrë informacione për fatin e kësaj autostrade, dhe nëse ndërtimi i saj do të ishte kusht i AAK’së për të hyrë në koalicion me partinë fituese nëse i bëhet një ofertë e tillë, por i njëjti nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Ndërkohë, Autostrada e Dukagjinit figuron në listën e temave për të cilat do të angazhohet AAK’ja, listë kjo që u publikua nga Ramush Haradinaj.

Kundër ndërtimit të kësaj autostrade, ishin deklaruar të githa partitë përfshirë edhe Partinë Socialdemokrate, e cila kishte ndërruar qëndrim pas krijimit të koalicionit parazgjedhor me AAK’në.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i kishte thënë Gazetës Express se shpenzimi i miliardave të buxhetit vetëm në asfalt është gabim fatal.

Abdixhiku kishte thënë se duke investuar në asfalt po mbeten anash shëndetësia, arsimi e gjyqësori.

“Nëse një mësim Kosova duhet ta ketë nxjerrë në 10 vitet e fundit, atëherë i njëjti është se shpenzimi i miliardave te buxhetit ne asfalt – dhe asgjë tjetër – është gabim fatal. Me projekte të tilla, me kosto dy tre fish në të lartë se në Evropë, me shterrje të buxhetit për shume vite, Kosova ka lenë në gjendje kolapsi shëndetësinë, arsimin dhe gjyqësinë – tri fushat prioritare të qytetareve tanë”, kishte thënë ai.

Sipas tij, qytetarët e vendit kanë nevoja të tjera dhe se një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’iu jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve.

“Konsideroj se vendi ynë – përfshirë dhe banorët e Dukagjinit – kanë nevoja krejt tjera. Ato natyrshëm janë të lidhura me vendet e punës, me përkujdesin më të mirë shëndetësor, me edukim me cilësor e me shtet të së drejtës. Një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’u jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve”, kishte thënë Abdixhiku për Express.

Përveç partive opozitare, kundër kësaj autostrade ishin deklaruar edhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, parti këto që ishin pjesë e Qeverisë Haradinaj.

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, kishte thënë se ideja e ndërtimit të autostradës, e cila po proklamohet, është e gabuar.

Sipas tij duhet të jetë një autostradë e tipit të hapur, pasi që siç kishte thënë shumë biznese që janë në atë rrugë dhe me lëvizjen e trasesë shumë prej tyre do të falimentojnë.

“Ky është projekt që kushton mbi 1 miliard euro dhe si i tillë duhet të analizohet. Edhe me u rreziku Qeveria nuk bëhet nami, me rëndësi është të shpëtohet shteti. Ne duhet të mendojmë për qytetarët. Kemi prioritete të tjera për të cilat mendoj që edhe kryeministri edhe të gjithë e dinë”, ka thënë Berisha.

Edhe ish-Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, që vjen nga radhët e PDK-së, kishte deklaruar se ndërtimi i autostradës në fjalë nuk është i nevojshëm për vendin, pasi që sipas tij, ka tema shumë më të rëndësishme për investim sesa rrugët.

“Mendoj që duhet me pa përtej këtyre problemeve, përtej asfaltit. Me trajtu çështjet qysh është arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit që janë tepër të rëndësishme për kualitetin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Deklarimeve të partnerëve të koalicionit u ishte përgjigjur në atë kohë edhe i pari i Qeverisë.

Haradinaj kishte thënë se kjo autostradë është në interes të të gjithë Kosovës, e jo vetëm të Dukagjinit.

“Ai (Zafiri) ka të drejtë kur thotë se rruga ekzistruese duhet me u zgjeru. Por, një rrugë ekzistuese nuk e ka funksionin e një rruge të zgjeruar, pra funksionin e autorrugës. Janë funksione të ndara, pra dallojnë. Nëse bëhet tani autorruga, mbetet traseja, sepse trasetë mbetën edhe për 50 ose 100 vjet”, ka thënë Haradinaj.

I pari i Qeverisë kishte thënë se autostrada ka vlerë tjetër dhe se ndërtimi i saj është në interes të Kosovës.

“Për mu autostrada është jetike për atë zonë. Janë qindra mijëra banorë, pra është e popullume shumë ajo zonë, nëse e merr prej Peja, Deçan, Gjakovë, Rahovec e deri atje. Autostrada është interes i Kosovës, jo i Dukagjinit”, kishte thënë Haradinaj në konferencën për media.