×
  • Lajme
  • Lajme / Prishtinë-Gjilan

    Durmishi e konfirmon se Ura e Badocit u lëshua për qarkullim pa u testuar: Testimi formal bëhet nesër, është stabile

    Reporteri
    08 Janar 2025 | 16:01

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka dalë me një reagim pas raportimeve se ura e re mbi Liqenin e Badocit u lëshua në qarkullim pa u testuar, që u konfirmua edhe nga kompania përgjegjëse për testim.

    Edhe vetë Durmishi e ka konfirmuar se ura u lëshua për qarkullim pa u testuar, deirsa ka thënë se testimi formal do të bëhet nesër dhe se ura është stabile, shkruan Reporteri.net.

    “Ura e Badocit ështe projektuar e ndertuar me standardet më te larta të projektimit e ndertimit. Gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektimet profesionale, përfshirë ketu atestet parakrake të materialeve, testimet të vazhdueshme të betonit e armaturës deri në finalizimin e saj. Prandaj me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badocit është shumë stabile. Gjatë gjithë këtyre diteve aty kan kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër”, ka shkruar Durmishi.

    Nga kompania “DRENI INGINERING” e cila është përgjegjëse për kryerjen e testimit, kanë deklaruar dje se ura është hapur për qarkullim për shkak të festave të fundvitit.

    “Unë e bëj testimin e urës, nuk është kryer. Kemi dashtë me e lëshu për qarkullim për shkak të festave dhe në një afat tjetër bahet testimi i urës”- ka deklaruar Adnan Lushtaku për Kallxo.com.

    Testimi i urës që ka gjatësi rreth 40 metra, ishte paraparë në aneks kontrate të cilën Ministria e Infrastrukturës e nënshkroi kur punimet ishin në fazën fillestare. Sipas paramasës, vetëm testimi i urës do të kushtojë 6000 euro.

    Kurse, për testimin e urës së Ibrit që lidhë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, që u bë në gusht të vitit 2024, e cila vazhdon të jetë e mbyllur për automjete, Ministria e Infrastrukturës pagoi 9 mijë e 640 euro.Ura që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023.

    Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar bypass-in, që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e Urës.Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e Urës së re.

    Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar më 10.01.2024.

    Vlera e Kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishe 468 mijë e 522 euro.

    Ura e Badocit u lëshua në qarkullim pa u testuar, deklarohen kompania përgjegjëse e zëvendësministri Durmishi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!