×
  • Lajme
  • Lajme

    Dy drejtorët e shkarkuar të Bordit të Telekomit ishin propozuar nga Hoti, nuk qëndruan në pozitë as dy muaj

    Reporteri
    23 Prill 2020 | 18:12

    Qeveria në detyrë ka shkarkuar dy anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore në “Telekomin e Kosovës”.


    Luljeta Elezaj dhe Teki Shala janë zgjedhur si anëtarë të këtij bordi më 6 mars të këtij viti, me propozim të ish-zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hoti.

    Vendimi për shkarkimin e dy anëtarëve është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë, ndërkaq siç njoftohet, ata janë zëvendësuar menjëherë.

    “Ndërsa me një vendim tjetër të miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës janë shkarkuar dy anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore në “Telekomi i Kosovës”, Luljeta Elezaj dhe Teki Shala të cilët janë zëvendësuar me Lule Ahmedi dhe Hekuran Nikçi”, thuhet në njoftim.

    Se të dy ishin propozuar nga Hoti, e kishte thënë ministrja në detyrë e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, në një bisedë në Interaktiv të KTV-së.

    “Telekomi është çështje shumë serioze, ku deputetët e VV-së dhe LDK-së kanë sjellë një rezolutë për ndryshim dhe pres nga Bordi që të adresojë të gjitha të gjeturat dhe të sjellë propozimin e saj. Unë pres atë (të ketë shkarkime). Dy anëtarë janë të pavarur apolitikë, dhe dy të tjerë janë propozuar nga Avdullah Hoti. Thirrja ime është që bordi të kryejë punën e vet. Unë pres shpëtimin e ndërmarrjes publike sa më shpejtë që është e mundur sepse ka humbje të mëdha”, ka thënë Hajdari.

    Të dy anëtarët kishin refuzuar që të votonin shkarkimin e kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi dhe drejtorit financiar, Armend Osaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!