×
  • Lajme
  • Lajme / Kërkohet marrëveshje politike

    Dy ditë konsultime me presidenten, afatet rrjedhin – topi te partitë politike për konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    04 Korrik 2025 | 8:59

    Në tentim për të gjetur një dalje nga kriza institucionale, Presidentja Vjosa Osmani në dy ditët e fundit ka takuar drejtuesit e partive parlamentare.

    Pas dy ditësh konsultime, Osmani tha se konstituimi i Kuvendit është “detyrim dhe jo opsion”.

    Në këtë seri të re të konsultave me partitë politike, Osmani fillimisht i priti të mërkurën kreun e VV-së, Albin Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.

    Në këto takime Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit.

    Ndërkaq, një ditë më pas, të enjten, Osmani ka takuar drejtuesit e partive më të vogla parlamentare dhe atyre nga komunitetet.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të ciklit të ri të konsultimeve lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25, ka mbajtur sot takimet konsultative me liderë të partisë: Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT. Presidentja Osmani ka ritheksuar se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion. Më tej, Presidentja Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të gjendet rrugëdalja për konstituimin e Kuvendit.”, u tha në njoftimin e Presidencës pas takimit.

    Po ashtu në njoftim thuhet se Osmani nënvizoi se mungesa e legjislativit po krijon një vakuum institucional që shkakton erozion të demokracisë dhe dëmton funksionimin e shtetit.

    “Në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament edhe përgjatë ditëve në vijim.”, thuhet tutje në njoftim.

    Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten e kaluar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

    Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi. Ditën e djeshme dështoi edhe përpjekja e 41-të për konsituim, ndërkaq nesër do të ketë një tentativë tjetër.

    Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur – por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!