×
  • Lajme
  • Lajme / Parandalimi

    Dy gra të vrara brenda pesë ditësh në Kosovë, mblidhen institucionet e drejtësisë – situata po konsiderohet alarmante

    Reporteri
    16 Prill 2024 | 11:48

    Dy gra janë vrarë brenda pak ditësh në Kosovë. Njëri rast ndodhi në Ferizaj, e tjetri në Pejë. Në rastin e parë i dyshuar është ish-bashkëshorti i e në rastin e dytë bashkëshorti i viktimës. Situata po cilësohet si alarmante, teksa po kërkohen veprime urgjente për të parandaluar vrasjen e grave, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Të premten e kaluar një 21 vjeçare mbeti e vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. I dyshuar në këtë rast është 36-vjeçari Valon Aliu, ish bashkëshorti i saj. Ai ka plagosur edhe vëllain 15 vjeçar të ish bashkëshortes.

    Të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Gjatë ditës së djeshme dhjetëra qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, duke bërë thirrje për ofrimin e sigurisë për vajzat dhe gratë. Në marshin e organizuar nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Siguri për vajzat dhe gratë”, “Armiku ynë është patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura”.

    Ata bënë thirrje për siguri për vajzat dhe gratë teksa marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, para së cilës protestuan.

    Por një ditë më pas, të martën e 16 prillit një grua tjetër mbeti e vrarë në Pejë. Ajo dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, i cili tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.

    Reagimet që pasuan ishin të shumta.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka ftuar një takim të institucioneve të drejtësisë.

    Haxhiu ka bërë të ditur se ka ftuar në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, si dhe kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës.

    Ministrja e Drejtësisë ka thënë se ngjarja e sotme që ndodhi vetëm katër ditë pas atij në Ferizaj është shumë e rëndë e tronditëse.

    “Në mëngjesin e sotëm edhe një grua u vra nga burri në Pejë, vetëm 4 ditë nga vrasja e një gruaje po ashtu nga burri në Ferizaj. Kjo është shumë e rëndë. Është tronditëse. Është dhimbje e madhe. Është e patolerueshme. Për këtë gjë sot kam ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjetër. edhe mbledhjen e grupit ndërministror”, ka shkruar Haxhiu.

    Ministrja ka thënë se s’ka rrugë tjetër pos asaj që institucionet tona ta luftojnë pa kompromis këtë fenomen.

    “Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene. Pavarësisht përkushtimit, masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë. Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”, ka shkruar Haxhiu.

    “Tutje ajo ka thënë se askush nuk është mbi dikë tjetër, e askush nuk është pronë e askujt.

    “Vrasjet ndaj grave në Republikën e Kosovës janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim. Nuk mund të presim emancipimin e askujt derisa të bëhen të vetëdijshëm për barazinë mes burrit dhe gruas. Asnjë qytetar nuk është mbi dikë tjetër, askush nuk është pronë e askujt. Gruaja dhe burri janë të barabartë. Dhe si shtet nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune të burrit ndaj gruas”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

    Reagoi edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Osmani ka thënë se ditën e djeshme në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, tërë kohën është folur rreth asaj se si të ndalim dhunën ndaj grave, dhe sot mëngjesi  nisi me lajmin e tmerrshëm për vrasjen e një gruaje në Pejë.

    E para e shtetit tha se ky femicid ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalet me çdo kusht.

    “Fatkeqësisht sot jemi zgjuar të gjithë në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të e një gruaje nga bashkëshorti saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se ri zgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb”, tha Osmani.

    E para e vendit tha se duhet të rizgjohemi kundër këtij fenomeni pasi nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur.

    Ajo tutje i bëri thirrje të gjithëve që të ndalet dhuna mbi baza gjinore, pasi një gjë e tillë po e njollosë shtetin dhe mund ta shkatërrojë atë nga brenda.

    “Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore i cili siç e përmenda po e njollosë shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda. E kemi detyrë që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë dhe qytetarët”, ka thënë Osmani.

    Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se krime të tilla po ndodhin kryesisht nga persona të cilët edhe më herët kanë pasur raste penale dhe sistemi i drejtësisë i ka liruar. Konjufca tha se kjo pastaj është parapërgatitje për raste më të rënda, siç ishin dy vrasjet e fundit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Lajm i trishtueshëm vrasje edhe e një gruaje tjetër, pas asaj që ndodhi këtë javë edhe në Ferizaj. Ajo që është urgjente është konsolidimi i mekanizmave tanë të sigurisë e gjyqësisë para së gjithash që raste të tilla më të mos ndodhin.

    Shumica e rasteve që po ndodhin në Kosovë kundër grave e vajzave e dhuna e tmerrshme e ushtruar ndaj tyre është kryesisht prej personave të cilët edhe më herët kanë pasur raste penale, të shkeljeve të rënda dhe sistemi i drejtësisë me shumë lehtësi i liron ata, pastaj kjo është parapërgatitje edhe për raste më të rënda, siç ishin rastet e dy vrasjeve të kësaj jave në Kosovës”, tha Konjufca. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!