×
  • Lajme
  • Lajme

    Dy opsionet nëse s’ka marrëveshje: Kurti dëshiron zgjedhje, LDK pret mandatin për ta formuar ajo Qeverinë

    Reporteri
    02 Dhjetor 2019 | 20:38

    Albin Kurti dhe Isa Mustafa para tri dite dhanë sinjale të forta se një marrëveshje e tyre finale për bashkëqeverisje mund të arrihet të hënën, pra sot.


    Por, sot në fakt vetëm sa u konfirmuan e ata kanë ende dallime të mëdha, dallime për pozitat ministrore si dhe atë të presidentit. Nga një takim që ata patën në Kuvendin e Kosovës doli se negociatat do të vazhdojnë.

    Burimet e Reporterit bëjnë me dije se mosbesimi mes palëve është ende i madh dhe se mospajtimet janë për pozita.

    “LDK e dëshiron presidentin dhe më shumë ministri se sa VV në këmbim që VV të ketë kryeministrin dhe kryeparlamentarin”, ka thënë ky burim, duke shpjeguar se përgjigja e VV-së ka qenë negative në dy aspekte.

    “VV po përpiqet të mos e shtrojë në tavolinë pozitën e presidentit me arsyetimin se ende është pozitë e zënë dhe se për këtë bisedohet kur të përfundojë mandati i Hashim Thaçit. Në variantin tjetër, VV ka qenë e gatshme të japë presidentin por më kushtin që të marrë 7 ministri”, ka shpjeguar ky burim i Reporteri.net.

    Kurti dhe Mustafa kanë folur para mediave pas takimit por nuk kanë dhënë detaje të mospajtimeve. Sipas tyre për programin janë pajtuar.

    Sipas burimeve të Reporteri.net, nëse vazhdojnë kështu diskutimet, pra që të mos ketë gatishmëri për koalicion, janë dy opsione në tavolinë: Njëri opsion është që VV të zvarrisë procesin dhe që më pas të kërkojë zgjedhje.

    “Kurti e ka kuptuar momentumin e tij dhe në një variant kur nuk ka marrëveshje me LDK-në ai beson se faji për këtë do t’i mbetet LDK-së dhe ai pret të ketë zgjedhje e të fitojë edhe më shumë si i pari, që më pas të imponojë më shumë opsionet e tij”, ka theksuar një burim i mirë informuar.

    Në variantin tjetër, LDK shpreson se nëse nuk ka marrëveshje me VV-në, pasi ta ketë shpenzuar Kurti mundësinë që ta bëjë Qeverinë në herën e parë, mandate do t’iu kalojë atyre dhe ata më pas të marrin kryeministrin dhe të bëjnë koalicion me disa nga partitë e PAN-it.

    “LDK pret që në një opsionin të tillë të gjejë përkrahje edhe ndërkombëtare dhe të marrë në qeveri AAK-në, Nismën dhe AKR-në si dhe minoritetet për të formuar qeverinë”, ka pohuar ky burim.

    LDK dhe VV aktualisht kanë 57 vota në Kuvend dhe me përkrahjen e minoriteteve bëjnë 67 vota, duke mos llogaritur votat e Listës Serbe, të cilat nëse do t’iu bashkohen do të bëheshin 77.

    Sipas burimeve, PDK do të tentojë që në secilin opsion të qëndrojë në opozitë, nëse për këtë qëndrim të saj nuk do të kishte presion nga ndërkombëtarët. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!