×
  • Lajme
  • Lajme

    Dy rastet e para me coronavirus në Kosovë, kjo është karantina nëse shtohen të infektuarit

    Reporteri
    13 Mars 2020 | 18:50

    Qendra për Mbajtjen e të Huajve në Vranidoll të Prishtinës, është vënë disa ditë më parë në dispozicion për t’u shndërruar në karantinë, në rast se në Kosovë evidentohet ndonjë rast pozitiv me COVID-19, tashmë e njohur si pandemia Coronavirus. Dhe tashmë dy raste janë të konrimuara. Bëhet fjalë për një 77 vjeçar nga Vitia dhe një 20 vjeçare shtetase e Italisë e që jetonte në qytetin e Klinës.


    “Ju njoftoj se MSH pas përfundimit të analizave në IKSHPK të 15 rasteve të dyshimta, dy kanë rezultuar pozitive dhe gjendja e tyre shëndetësore rezulton të jetë stabile, njëri është i moshës 20 vjeçare dhe tjetri i moshës mbi 77 vjeçare. Janë marrë të gjitha masat kundër personave me të cilët ata kanë qenë në kontakt.”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pak më parë në konferencë për shtyp. Me të në konferencë ishte edhe kryeministri Albin Kurti. Ata paralajmëruan një mbledhje të qeverisë në ora 19:00.

    Reporteri.net ka qendruar dje në Vranidoll dhe ka xhiruar nga brenda dhe jashtë objektin ku është paraparë të jetë karantinë.

    Janë 12 dhoma me një kapacitet për 40 persona që janë ndarë për këtë çështje.

    Pjesa e cila parashihet, që në rast nevoje të shndërrohet në karantinë, është ajo që deri më tani është shfrytëzuar për mbajtjen e grave dhe fëmijëve, shtetas të huaj, që janë zënë ilegalisht në Kosovë.

    Dhomat brenda në të janë të modeleve të ndryshme. Disa prej tyre janë me nga dy shtretër, të tjerat me nga 4, me kuzhina dhe banjo të përbashkëta. Por ka edhe të tilla që quhen si dhoma të ‘izolimit në vetmi’, brenda të cilave ndodhet vetëm një shtrat dhe pajisjet për pastrim e nevoja fiziologjike.

    E një tjetër model i dhomave brenda kësaj qendre është i tillë që parashihet për nga një familje, deri me 5 shtretër. Për dallim nga dhomat tjera të përbashkëta, që të mbajturit edhe banjot i kanë të përbashkëta, në këto 5 dhoma familjare banjot ndodhen brenda tyre dhe shfrytëzohet vetëm nga ata që qëndrojnë brenda dhomës.

    Karshi këtyre dhomave ndodhet edhe një dhomë që shfrytëzohet si kënd i lojërave për fëmijë.

    Të gjitha dhomat, përveç shtretërve, jorganëve dhe jastëkëve për të fjetur, kanë edhe dollapë për rroba, dhe nga një tavolinë të plastikës me ulëse për qëndrim ditor, shkruan Reporteri.net.


    Hapësira e qendrës ka edhe një dhomë të përbashkët ditore me televizor dhe kuzhinë për përgatitje të ushqimit nga vetë të izoluarit, ndonëse atyre parashihet edhe që ushqimi t’u sillet i gatshëm nga qendra.
    Nuk mungon as dhoma e lavatriçeve, që të mbajturit të pastrojnë vetë rrobat.
    Hyrjet kryesore, në të dy anët e qendrës janë të mbrojtura me hekura, sikurse edhe dritaret, që ngjasojnë në grila të burgjeve. Edhe dyert e dhomave janë prej hekurit dhe mbyllen me çelës nga jashtë, nga punonjësit e qendrës.

    Aty nuk janë verejtur investime që përshtaten me coronavirusin, por me gjasë kjo do të ndodhë shpejtë.
    Ndryshe, Qeveria e Kosovës, dy ditë më parë në një mbledhje urgjente, pak pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli virusin COVID-19 si pandemi, ka marrë një sërë masash të nevojshme për parandalimin e të ashtuquajturës Coronavirus në Kosovë.
    Ndërmarrja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020; pezullimi i përkohshëm i disa linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor; Kontrolli i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetje të PK-së; Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, janë vetëm disa nga masat e ndërmarra të mërkurën, me vendim të Qeverisë së Kosovës.
    Vendimi parasheh edhe ndalimin e veprimtarive të restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.
    “Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë. — Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike. — Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë privatë që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese. — Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas”, janë masat tjera të Qeverisë.
    Coronavirusi, sëmundja vdekjeprurëse që u përhap në nëntor të vitit të kaluar në Kinë, ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, sikurse edhe në Shqipëri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!