Dy vetura janë djegur tërësisht si pasojë e një zjarri në lagjen luksoze ‘Marigona Residence’ në fshatin Preoc të Graçanicës mëngjesin e sotëm, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se pos dy veturave që u shkatërruan plotësisht, janë djegur pjesërisht edhe dy të tjera, teksa s’raportohet për të lënduar.
“Rreth orës 10:30, është pranuar informata për një zjarr në një lagje në fshatin Preoce. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit. Informacionet e para nga vendi i ngjarjes tregojnë për dy vetura të përfshira tërësisht nga zjarri përderisa dy të tjera pjesërisht, ndërkaq nuk raportohet për të lënduar”, tha Borovci.
Në pamjet e publikuara nga EO, shihet se veturat që janë përfshirë nga zjarri janë djegur tërësisht, ndërsa në një video të publikuar nga Klan Kosova, shihet tym i madh që është shkaktuar nga zjarri që shpërtheu te veturat në fjalë.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.