Dyshime të rënda po shfaqen për një nga tenderët më të ndjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për furnizim me pajisje të dializës – një shërbim jetik për pacientët me probleme të rënda shëndetësore.
Gazeta Metro ka raportuar se permes burimeve ka zbuluar një sërë shkeljesh të mundshme që tregojnë për një skemë të sofistikuar manipulimi me qëllim të favorizimit të operatorit të caktuar dhe reduktimit drastik të konkurrencës.
Tenderi në fjalë është dizajnuar në mënyrë që të përfshijë pajisjet në një tërësi – si shtretërit, bashke me aparaturat e dializës – duke u bashkuar në një lot të vetëm. Kjo mënyrë e përpilimit është e pazakontë dhe tepër e dyshimtë, duke ngritur pyetje serioze nëse qëllimi i vërtetë ishte përzgjedhja e ofertës më të mirë apo eleminimi i konkurrencës së ndershme.
Më “skandaloze”, sipas raportimit, janë detajet absurde të përfshira si “diametri i rrotave të shtratit”, të cilat janë vendosur si kritere përjashtuese. Këto specifika jo vetëm që janë të parëndësishme për qëllimin kryesor – pajisjet e dializës – por edhe duken si të dizajnuara enkas për të përjashtuar operatorë të tjerë potencialë nga gara. Këto veprime sugjerojnë një përpjekje të qartë për të kanalizuar tenderin drejt një kompanie të caktuar.
Mediumi raporton me burime se edhe kjo mund të jetë e lidhur me zhvillimet e fundit në QKUK.