Prokuroria e Gjakovës, njofton se është arrestuar një person nga fshati Bërnjak, Komuna e Rahovecit, i cili sipas hetimeve të para dyshohet për veprën penale “Vrasja e Rëndë” të vëllait të tij, personit me inicialet B.K. i cili pasi që kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë.
Ai dyshohet se e ka vrarë dhe më pas djegur trupin e të vëllait, shkruan Reporteri.net.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin se gjatë ditës së sotme është arrestuar dhe me pas ndaluar personi me inicialet G.K. nga fshati Bërnjak, Komuna e Rahovecit, i cili sipas hetimeve të para dyshohet për veprën penale “Vrasja e Rëndë” të vëllait të tij, personit me inicialet B.K. i cili pasi që kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, fillimisht ishte paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij që nga data 14.02.2020.
Pas veprimeve hetimore nga ana e Prokurorisë dhe Policisë, dyshohet se personi G.K. e ka vrarë dhe më pastaj e ka djegur trupin e të ndjerit B.K. ku në vendin e ngjarjes janë evidentuar disa kocka njeriu.
“Po ashtu, pas një pune operative është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe një gëzhoje e cila pas ekzaminimit të forenzikës është vërtetuar së është shkrepur nga arma e të dyshuarit. Gjatë intervistimit në polici, ku prezent ka qenë edhe prokurori i rastit, i dyshuari G.K. e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet, duke përshkruar në hollësi mënyrën se si ka vepruar në ditën kritike”, thuhet në komunikatë.
Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ndaj tij, brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë. /Reporteri.net/.