×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimet

    “E ka origjinën në Serbi”, “Do të kërkojmë mbështetje ndërkombëtare”, krejt çka thanë Kurti e Sveçla për kërcënimin me bombë në Kuvend

    Reporteri
    06 Korrik 2025 | 18:12

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për kërcënimin e rrejshëm për bombë në Kuvendin e Kosovës të shtunën e 5 korrikut, kanë thënë se e ka origjinën nga Serbia, dhe se numri nga i cili është dërguar mesazhi i përket shtetasit serb Lazar Zhivkoviq, shkruan Reporteri.net.

    Kurti ka përgëzuar institucionet shtetëtore për reagimin profesional lidhur me kërcënimin e rremë për bombë në Kuvendin e Kosovës që ndodhi të shtunën, duke thënë se konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon sërish luftën libride të Serbisë ndaj Kosovës.

    “Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional. Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, shkroi Kurti.

    Kurse, Xhelal Sveçla ka thënë se numri nga i cili është dërguar mesazhi i përket shtetasit serb Lazar Zhivkoviq, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tij, në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur edhe fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.

    “Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë këtë sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi. Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare.

    “Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”, ka shkruar ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!