×
  • Lajme
  • Lajme

    E kaluara kriminale e 11 të arrestuarve në Karaçevë, më i riu është 23 vjeç

    Reporteri
    24 Shtator 2020 | 8:04

    Aksioni në Karaçevë, që është konsideruar më i “suksesshmi i kësaj natyre” në Kosovë, ka të arrestuar persona të dyshuar, të cilët në vazhdimësi janë marrë me kontrabandë.


    Me më pak zhurmë, por me vepra të njëjta, një pjesë e madhe e personave të ndaluar ishin arrestuar edhe më herët nga institucionet e drejtësisë.

    Shumica e personave civilë që janë arrestuar të premten e kaluar kanë histori kriminale.

    KOHA ka mësuar nga burime të afërta me këto zhvillime emrat e të gjithë personave jozyrtarë, të cilët janë arrestuar edhe më herët për kontrabandë në këtë pjesë. Deri tani hetuesia ka arritur të sigurojë ekzistencën e dosjeve kriminale për 11 qytetarë të arrestuar.

    Pesë nga ta, sipas të dhënave që ka KOHA, kanë të njëjtin mbiemër, të gjithë nga fshati Muçiverc i Komunës së Kamenicës. Me të njëjtin mbiemër e nga i njëjti fshat janë dy nga policët e arrestuar. Më i riu nga të arrestuarit e që ka histori kriminale, siç thuhet në dokumente, është një 23-vjeçar.

     

    Dy të arrestuar në këtë aksion janë nga fshati Mramor i Prishtinës. Njëri 70-vjeçar e tjetri 45 kanë po ashtu histori të mëhershme kriminale e që lidhet me veprën penale të kontrabandës. Nga Komuna e Kamenicës janë edhe 4 të arrestuarit e tjerë me dosje penale.

    Në Prokurorinë e Gjilanit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

    Burimet e televizionit kanë thënë se ka edhe zyrtarë policorë që janë arrestuar javën e kaluar e që për të njëjtat vepra janë hetuar edhe më herët. Njëri nga ta ishte arrestuar, por lënda në procedurë, siç kanë thënë burimet, i ishte parashkruar.

    As Policia e as Inspektorati Policor nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

    Megjithatë në fundjavë edhe prokurorja e rastit në kërkesën për caktimin e paraburgimit e pati përmendur faktin se aksioni i Karaçevës ka recidivistë të arrestuar.

     

    Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm nuk ishte vepra e vetme të cilën dyshohet ta ketë kryer grupi i të arrestuarve të premten në Karaçevë të Kamenicës. Shumë prej të arrestuarve dyshohen edhe për kontrabandë me mallra nga Serbia, kryesisht kafshë. Në mesin e tyre edhe kafshë të sëmura.

     

    Policia e Kosovës të premten e kaluar arrestoi 35 persona në këtë fshat, në zonën kufitare me Serbinë. Në mesin e tyre ishin 12 policë.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!