×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhje të reja?

    Edhe dy javë afat për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Reporteri
    10 Janar 2024 | 14:19

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi nga data 22 dhjetor kanë filluar të rrjedhin afatet e parapara me Udhëzimin Administrativ dhe rrjedhimisht  ka edhe 12 ditë kohë për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunat e tyre përkatëse, njoftoi ministri i i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.

    Siç bëri të ditur Krasniqi, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë mbetur edhe dy javë afat për t’i mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve, ndërsa në Zveçan edhe pesë ditë më shumë.

    “Dje kemi pasë një takim edhe me diplomatë të vendeve të QUINT dhe BE-së, të cilët i kemi informuar për procesin iniciativën, zhvillimet dhe përgjegjësitë që burojnë nga udhëzimi administrativ. Tashmë qytetarët në veri të vendit kanë inicuar kërkesën e tyre të parë dhe janë në proces të mbledhjes së nënshkrimeve. Tashmë kemi 4 grupe të qytetarëve në veri të vendit që janë autorizuar në mbledhje të nënshkrimeve”, tha Krasniqi.

    “Nga informacionet që i kemi nga kryesuesit e kuvendeve të komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, më 22 dhjetor janë takuar me qytetarët që kanë iniciuar këtë proces dhe janë autorizuar si palë dhe nga data 22 dhjetor fillojnë të rrjedhin afatet e parapara me Udhëzimin Administrativ”, tha Krasniqi.

    Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok ka nisur më 22 dhjetor mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Ndërsa në Zveçan, ka nisur më 27 dhjetor. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë.

    Udhëzimi Administrativ u nxor në fillim të shtatorit të vitit të kaluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Kryetarët shqiptarë morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj, por ushtrimi i detyrës së tyre nga objektet komunale, u kundërshtua nga protestues serbë.

    Të njëjtit u përleshën me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR, duke plagosur dhjetëra syresh.

    Vendet perëndimore dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova organizimin e zgjedhjeve të reja.  /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!