×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe në rigjykim, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për vrasjen e vitit 2017 në Prishtinë

    Reporteri
    08 Tetor 2024 | 18:05

    Këtë të martë, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është dhënë fjala përfundimtare, në rigjykimin ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, të cilët po ngarkohen se, pas një marrëveshjeje paraprake më 24 nëntor 2017, në qendër të Prishtinës, kishin vrarë N.S

    Prokurori Bashkim Zeqa, në fjalën e tij përfundimtare tha se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në këtë gjykatë më 06.12.2022, duke shtuar se edhe në rigjykim është vërtetuar se aktakuza është e bazuar në provat konkrete materiale.

    “Po ashtu edhe ne rikonstruksionin e vendit të ngjarjes, është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen…”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndërkaq, në paraqitjen e fjalës përfundimtare, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Fanol Krasniqi, deklaroi se mbështet fjalën e prokurorisë, duke theksuar se është e pakontestueshme se N.S. ka ndërruar jetë si pasojë e plagës së marrë me armë zjarri.

    “Gjatë këtij gjykimi u vërtetua, përtej dyshimit të bazuar, se të pandehurit kanë pas qëllim dhe dëshirë për shkaktimin e pasojës…”, tha avokati Krasniqi.

    Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga mbrojtësi i të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokati Asdren Hoxha, i cili tha se konsiderojnë se ky proces gjyqësor rezultoi me atë se prokuroria nuk ka arriti ta vërtetojë teorinë e akuzës, përkatësisht të vërtetojë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

    Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokati Florent Latifaj, deklaroi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar, duke shtuar se, në rastin konkret nuk kanë të bëjnë me vrasje të rëndë.

    “Nuk kemi të bëjmë me marrëveshje paraprake, e edhe me hiq nuk kemi te bëjmë me dashje, as direkte as eventuale e as një formë të dashjes”, shtoi ai.

    Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Kurse, Vllasaliu gjendej në arrati.

    Por, Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

    Kurse, më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish e kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të tani të ndjerit N.S, në vitin 2017 në Prishtinë.

    Ndërsa, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023, me rastin e ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokatit Asdren Hoxha dhe avokatit Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!