Një kompani lokale me aksionare një biznes serb me degë në Mal të Zi, e fitoi kontratën për përpunimin e mbetjeve shtazore në Kosovë, ka zbuluar një hulumtim i portalit Kallxo.com.
Kontratën për “Funksionalizimin e objektit për përpunimin e nënprodukteve shtazore”, Ministria e Bujqësisë ia dha më 10 janar të këtij viti kompanisë “LIP KS & IT” Sh.P.K.
Në këtë hulumtim është zbuluar skema e fshehjes së pronarëve të vërtetë të njërës prej kompanive që e ka fituar kontratën në Ministrin e Bujqësisë. Kompania që kishte 30% të aksioneve të kompanisë kosovare e cila nënshkroi kontratë me Ministrinë e Bujqësisë figuronte e regjistruar në Podgoricë të Malit të Zi, megjithatë mediumi ka gjetur se kompania amë e saj është në Beograd dhe pronar është një shtetas i Serbisë.
Dosja zbardhë detaje se si biznesmeni me shtetësi serbe u tërhoq nga investimi pak ditë pasi qeveria nënshkroi kontratë me konzorciumin që fitoi kontratën.
Hulumtimi zbuloi se kompania pak ditë pasi fitoi kontratën për përpunimin e nënprodukteve shtazore vendosi t’i shes aksionet e veta me vetëm 3 mijë euro.
Dosja zbardhë se kompania me seli në Podgoricë dhe Beograd i shiti 20% të aksioneve tek kompania “Arches Bau”, që ka aksionarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe 10% të aksioneve tek Naser Maloku.
Në një bisedë për “Kallxo Përnime”, Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sfidohet me transaksionet e pronësisë së kësaj kompanie dhe lëvizjet e aksioneve të cilat u zhvilluan prapa. Ministri Peci në një intervistë jep shpjegimet e tij rreth dhënies së kontratës për funksionalizim e objektit të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
“Jo nuk e kam ditë, për herë të parë po dëgjoj nga ju. Nuk e njoh askënd nga pronarët, nuk më takon mua me i hi me shpalos dokumentacionin e konsorciumit” – deklaron ministri Peci.
“Ragipoviq, ky po duket që është boshnjak, unë nuk e di…” – deklaron Peci kur pyetet për biznesmenin me shtetësi serbe, Muamer Ragipoviq.
Kontrata për dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore u nënshkrua nga ministri Faton Peci pas një vendimi që Qeveria e Kosovës e mori në janar të vitit 2025. Kontrata ishte dhënë për kompaninë “LIP KS & IT” Sh.P.K.
Hulumtimi zbardhë edhe të kaluarën e familjarëve të njërit prej aksionarëve nga Kosova i cili ishte i përfshirë në ‘aferën Brezovica’. Detaje për akuzën dhe lidhjet e kësaj familje me dyshimet për mitdhënje për ish-kryetarin e Shtërpcës, Branisllav Nikoliq.
Historia e kontratës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte publikuar dy njoftime, më 19.07.2024 dhe më 18.09.2024, në të cilat kërkonte palët e interesuara të aplikojnë për kontratën për funksionalizmin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Pesë ditë pasi ishte publikuar thirrja e dytë publike në ueb-faqe të AUV, kompania “LIP KS & IT” SH.P.K. ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Dosja e regjistrimit zbulon që fillimisht themelues të kësaj kompanie kishin qenë tre aksionarë, Naser Maloku, si drejtor menaxhues dhe dy kompani të tjera, “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi dhe “LIPITALIA 2000” S.P.S. me adresë në Rosta të Italisë.
Sipas të dhënave që ka siguruar KALLXO.com, pronar i kompanisë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi është një kompani tjetër me emër “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë e cila është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.
Muamer Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi që kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.
Kompania “MR & MNE” D.O.O. me pronar Muamer Ragipoviq ishte tërhequr nga biznesi që fitoi kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata për fabrikën.
Vlera e aksioneve të kompanisë “MR & MNE” D.O.O. ishte 30% në kompaninë e regjistruar në Kosovë “LIP KS & IT” ose në vlerë prej 3,000 eurove. Aksionet ishin bartur tek Naser Maloku dhe kompania “ARCHES BAU” Sh.P.K., kompani e cila më vonë do të bashkohej në pronësi të kompanisë që kishte fituar kontratën nga Ministria e Bujqësisë.
Sipas të dhënave publike, kompania “MR & MNE” D.O.O. ka vetëm një punëtor në Podgoricë, ndërsa ka katër punëtorë në “MR & Co doo” në Beograd.
Mediumi që nga 04.04.2025 ka dërguar kërkesa në Agjencinë e Veterenarisë dhe Ushqimit për të kërkuar qasje në dokumente dhe informata rreth fabrikës e cila nuk ishte funksionaluzar për një kohë të gjatë.
Procesi për dhënin në shfrytëzim të kësaj fabrike kishte filluar më 19.07.2024 nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Pesë muaj më vonë, më 09.01.2025, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të aprovohet dhënia në shfrytëzim e tokës dhe fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Një ditë pas, më 10.01.2025, Faton Peci, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte nënshkruar kontratën me titull “Funksionalizimi objektit për përpunimin e nënprodukteve shtazore”.
Fitues i kontratës ishte shpallur “LIP KS & IT” Sh.P.K., të cilës i është dhënë e drejta për operim për 20 vite, duke u llogaritur viti 2024 deri në vitin 2044, me mundësi vazhdimi.
Sipas kontratës, kompania obligohet të paguaj një qira prej 30 mijë euro brenda vitit, që i bie nga 2 mijë e 500 euro çdo muaj.