Fatlum Berisha, Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë ka folur lidhur me rastin në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë ku po dyshohet se një fëmijë 3-vjeçar u keqtrajtua nga edukatoret, derisa tha se edukatoret aktualisht po intervistohen nga policia dhe se pamjet e kamerave janë marrë nga Policia, shkruan Reporteri.net.
Por, sa i përket rastit, Drejtori Berisha ka thënë se nuk do e quante dhunë deri në momentin që një gjë e tillë do të vërtetohet nga ekspertët.
“Policia e ka bërë ftesën në drejtim të edukatorëve dhe në këto momente vetëm se janë në stacion të policisë ku po intervistohen të gjithë akterët që pretendohet se janë të përfshirë në rast. Kanë sekuestruar pajisjet e kamerave, ndërsa për hapat në vazhdim do të jemi në koordinim të plotë me policinë dhe Inspektoratin e Arsimit”, tha Berisha para mediave.
“S’do ta quaja dhunë deri në momentin kur vërtetohet prej ekspertëve. Edukatoret deri në këto momente nuk janë pezulluar”, shtoi ai.
“Këtu nuk ka të bëjë me kompetenca të drejtorit, por me respektim të ligjit, pavarësisht se kush është i përfshirë, në momentin që kemi vendim final dhe cilësohet si fajtor, masat do të jenë konform ligjit”, tha ai.
Nëna e 3-vjeçarit tha sot para gazetarëve se se ngjarja ka ndodhur më 15 shtator dhe se djali i saj vetëm tre vjeçar e gjysmë është rrahur brutalisht dhe është tërhequr zvarrë nga dy edukatore dhe një kuzhiniere që punon aty.
Ajo thotë se është e tmerruar dhe se rastin do ta çojnë deri në fund. Ndër të tjera ajo rrëfen se djali i saj ka lindur një problem shëndetësor në zemër, siç thotë ajo ka ka një vrimë në gjoks.
Nëna e 3-vjeçarit që u keqtrajtua në çerdhe: Është rrahur brutalisht, djali im ka probleme me zemër
Për rastin ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka thënë se organet e drejtësisë janë duke u marrë me rastin dhe ka ofruar mbështetjen për fëmijën dhe familjen e tij.
“Dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3 vjeçar në njërin nga kopshtet publike të Komunës së Fushë Kosovës, është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet. Përderisa tashmë organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes”, ka shkruar Haxhiu në Facebook./Reporteri.net/