Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se parashikimi për rritjen ekonomike në vend aktualisht është rreth 3 për qind, një rënie e thellë në krahasim me rritjen 10.75 për qind në vitin 2021.
Mehmeti, këtë nivel rritjeje ia atribuon në masë të madhe pasojave në vend dhe në shkallë globale të agresionit rus në Ukrainë.
“Këtë vit dhe vitin e ardhshëm jemi duke bërë parashikime më të shpeshta, varësisht prej situatës që po krijohet si rezultat i agresionit rus në Ukrainë”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Guvernatori Mehmeti thotë se në këtë kontekst duhet parë edhe inflacioni i lartë që në gusht ishte 13.1 për qind, pasojat negative të të cilit u vërejtën edhe në ekonomi.
“Ndryshimet dinamike në nivel global janë shoqëruar me rritje të inflacionit, me ndryshim të politikave monetare, pastaj ngadalësim të rritjes botërore për arsye se pati një shkëputje të zinxhirit të furnizimit dhe të gjitha këto ndikuan në aktivitetin ekonomik në nivel të Kosovës por edhe në nivel global”, tha ai.
Mehmeti nënvizoi se bashkë me pjesën më të madhe të mallrave dhe shërbimeve, Kosova importon edhe inflacionin.
“Vetëm deri në gusht, në korrik realisht kemi pasur në total importimin e mallrave dhe shërbime diku tek rreth 3.75 miliardë Euro, 2.94 miliardë Euro mallra i kemi importuar, prandaj dhe inflacionin e importojmë dhe për këtë arsye mundësia jonë për të ndikuar tek inflacioni, jo vetëm në Kosovë por edhe edhe Banka Evropiane dhe ajo amerikane, janë të vogla”, tha ai.