×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Euractiv: Inflacioni në Kosovë në nivele historike, rritet tregtia me Serbinë

    Reporteri
    17 Tetor 2022 | 13:02

    Inflacioni në Kosovë është rritur me 13% në 12 muajt e fundit me rritjen e tregtisë me armikun fqinj Serbinë, ka raportuar Euractiv, rrjeti mediatk i specializuar nga Bashkimi Evropian.

    Sipas statistikave zyrtare, kostoja e karburantit është rritur me 9.2%, perimet dhe frutat me 2%, dhe mobiljet dhe artikujt e shtëpisë me 2.5%. Por rritje edhe më të ndjeshme janë vërejtur te lëndët djegëse të ngurta dhe drutë e zjarrit, të cilat u rritën në çmim me 60,2% krahasuar me një vit më parë, si dhe vajrat ushqimorë me afro 50%, buka me 33,5%, bulmeti me 25,8% dhe mishi me 22%.

    Paga mesatare në Kosovë është rreth 500 € për person në muaj, por paga minimale është afërsisht gjysma e asaj shifre, me shumë që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

    “Ndërkohë, Kosova ka rritur importet e saj nga Serbia me 30% në muajt e fundit, pavarësisht tensioneve mes dy vendeve për refuzimin e Beogradit për të njohur sovranitetin e Prishtinës”, thotë Euractiv

    Po ashtu citohet edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se “në gusht të këtij viti në krahasim me gushtin e një viti më parë shihet se importet nga Shqipëria janë ulur për 10%, por nga Serbia janë rritur për 30%”.

    Sipas tij, kjo vë në pikëpyetje deklaratat për rritje të theksuar ekonomike të prodhimit vendor.

    “Thellimi i deficitit tregtar, bazuar në këto të dhëna të Agjencisë së Statistikave për periudhën janar-gusht 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet e Kosovës janë rritur për 150 milionë euro, por importet janë rritur për 800 milionë euro, dhe kjo ka sjellë deficitin tregtar në 3 miliardë euro, që është një rritje prej 56% krahasuar me një vit më parë”, tha Hoti, cituar nga ky rrjet mediatik.

    Por një hekurudhë e re mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ndryshojë së shpejti gjërat. Hekurudha Durrës-Prishtinë është aktualisht në fazën e fizibilitetit që nga java e kaluar.

    “Kjo linjë e re hekurudhore fillimisht do të plotësojë nevojat e transportit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe vende të tjera që janë gjithashtu të lidhura me Korridori Hekurudhor X (dhjetë) dhe Korridori Hekurudhor IV (katër)” thuhet në termat e referencës për procedurën e shpallur.

    Kosova në fillim të tetorit hapi zyrtarisht zyrën doganore në portin shqiptar, duke mundësuar kalimin më të lehtë të mallrave drejt kryeqytetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!