×
  • Lajme
  • Ekonomi / Artikull i sponsorizuar

    Konferenca Rajonale për Lehtësimin e Tregtisë riformëson Bashkëpunimin dhe Integrimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në Epokën Dixhitale

    Reporteri
    16 Nëntor 2023 | 15:06

    TIRANË, SHQIPËRI [8-9 nëntor] – Doganat dhe agjencitë e tjera shtetërore të Ballkanit Perëndimor do të bashkëpunojnë edhe më ngushtë për të shfrytëzuar potencialin e partneriteteve të krijuara në peizazhin dixhital, që evoluon në mënyrë të vazhdueshme.

    Këto ishin konkluzionet kryesore nga Konferenca Rajonale mbi Lehtësimet Tregtare “Fuqizimi i Partneriteteve Bashkëpunuese në Epokën Digjitale”, mbajtur më 8-9 nëntor në Tiranë. Konferenca mblodhi së bashku rreth 200 përfaqësues të lartë nga shteti dhe biznesi nga Ballkani Perëndimor, Moldavia, Shtetet Anëtare të BE-së, Komisioni Evropian, Organizata Botërore e Doganave dhe Shtetet e Bashkuara. Konferenca u organizua në kuadër të projektit të GIZ, “Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Gjermane, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë.

    Z. Ervin Mete, Minister i Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, nënvizoi progresin e bërë në integrimin ekonomik rajonal, duke theksuar se procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të përmbushur synimet tona të përbashkëta për integrimin ekonomik dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit. “Harmonizimi i procedurave doganore me ato të tregut të përbashkët Evropian ka rëndësi prioritare në këtë drejtim. Kjo konferencë është një mundësi e mirë jo vetëm për të ndarë vizione dhe ide, por edhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe uroj që të shërbejë si e tillë”: tha Z. Mete.

    SH.T Karl Bergner, Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri, theksoi rëndësinë e përpjekjeve bashkëpunuese për rritjen ekonomike të rajonit. “Integrimi ekonomik rajonal është thelbësor për të patur sukses me reformat ekonomike në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, si dhe duhet përforcuar përkushtimi i tyre për të krijuar politika tregtare efikase që mund të plotësojnë detyrimet e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Prioriteti madhor i këtyre përpjekjeve është të përshpejtohet agjenda e zgjerimit në rajon dhe zbatimi i nismave të Procesit të Berlinit, të cilat janë bërë tashmë pjesë integrale e politikës së BE-së ndaj rajonit”, theksoi ai.

    Z. Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, nënvizoi rëndësinë e strategjive përshtatëse në lehtësimin e tregtisë. “Doganat janë porta e parë në procesin e integrimit evropian dhe për këtë arsye harmonizimi i procedurave doganore me ato të Tregut të përbashkët Evropian merr rëndësi prioritare. Është e sigurtë që lehtësimi i aktiviteteve të tregtisë ka një impakt pozitiv për ekonominë kur procedurat zbatohen me eficensë dhe efikasitet. Lehtësimi i procedurave doganore për importet, eksportet dhe transitet e mallrave ka përfitime disaplanëshe për rritjen e volumeve tregtare ndërkohë që redukton burokracinë eksesive (të tepruar) dhe vonesat e kushtueshme për biznesin si dhe kostot administrative në kufi.

    Dr. Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, deklaroi se puna për lehtësimin e tregtisë është themelore, si për zhvillimin e tregut rajonal, ashtu edhe për integrimin në tregun e përbashkët të BE-së. Ai konfirmoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të thelluar bashkëpunimin dhe integrimin në rajon: “Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dëshmon përkushtimin e BE-së për zgjerimin dhe përshpejtimin e integrimit, me qëllim adresimin e konvergjencës socio-ekonomike që tani”.

    Z. Philippe Duponteil, Drejtor i Politikave Doganore dhe Tatimore Dixhitale (DG TAXUD) i Komisionit Evropian deklaroi se “bashkëpunimi, partneriteti dhe besimi janë tri fjalë që ecin dorë për dore në botën e doganave. Këto tri fjalë ishin pishtarët e Komisionit Evropian në dy vitet e fundit. Më 17 maj 2023, Komisioni miratoi Paketën e Reformës së BE-së për Doganat. Kjo është reforma më e madhe dhe më ambicioze që nga krijimi i Bashkimit Doganor në vitin 1968. Bashkëpunimi, partneriteti dhe besimi mes tregtarëve, partnerëve ndërkombëtarë dhe autoriteteve doganore qëndrojnë në themelet e saj. Qëllimi krysor i reformës është lehtësimi edhe më shumë i procedurave të operatorëve ekonomikë që respektojnë rregullat dhe janë të besueshëm. Programi OEA shtroi bazat për këtë besim, por ne duam ta ngremë këtë marrëdhënie një nivel më lart”, shpegoi ai, duke shtuar se, fakti që ndryshon gjithçka është se marrëdhënia drejt një niveli më lart do të shpaloset plotësisht përmes mjeteve dixhitale, prandaj jam i kënaqur edhe me titullin e kësaj konference të nivelit të lartë. Operatorët që besojnë dhe kontrollojnë, do të duhet të vënë në punë një sistem elektronik që u mundëson informacion në kohë reale për lëvizjen e ngarkesave të tyre dhe respektimin e të gjitha kritereve përkatëse, përmes Qendrës së të Dhënave Doganore të BE-së.

    Z. Kunio Mikuriya, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave pohoi se promovimi i lehtësimit të tregtisë rajonale qëndron lart në agjendën e OBD-së. “Në praktikë, qasja “Dritarja e Vetme” si platformë bashkëpunimi dixhital do të mbështesë Doganat t’u ofrojnë bizneseve shërbime me një ndalesë, falë menaxhimit më të koordinuar të kufirit, duke përfshirë edhe më shumë agjenci shtetërore, si dhe do të përshpejtojë lehtësimin e tregtisë drejt një tregtie pa shkresa dhe madje pa kontakte në të ardhmen. Ky hap kërkon bashkëpunim jo vetëm kombëtar por edhe rajonal ndërmjet administratave doganore dhe mes agjencive të tjera shtetërore, gjë që kërkon vullnet politik dhe besim, të dyja këto relevante për temën e kësaj konference”, shtoi ai.

    Znj. Tanja Bošković, Drejtuese e projektit të GIZ, nënvizoi peshën e bashkëpunimit në integrimin ekonomik të rajonit, duke vënë theksin te rëndësia e lehtësimit të tregtisë rajonale, si një përpjekje shumësektoriale, shumëdimensionale dhe shuminstitucionale, e cila kërkon që doganat dhe agjencitë e tjera shtetërore të punojnë krah për krah, për të çuar përpara bashkëpunimin dhe integrimin rajonal.

    Znj. Ines Mucostepa, Kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, deklaroi se Forumi i Investimeve i 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor ka realizuar një studim që prezanton propozimet e sektorit të biznesit për politikëbërësit e Ballkanit Perëndimor, disa prej të cilave janë investime në korsi më të gjelbra dhe blu, duke vendosur fillimisht Korsitë e Gjelbra në mbarë rajonin dhe më pas në kufijtë e BE-së, njohjen e ndërsjellë të Certifikatave të Operatorit të Autorizuar, përfshirë përcaktimin e korsive të veçanta për pikëkalimet më të përdorura me BE-në, harmonizimin e procedurave administrative dhe përdorimin e sistemeve të vetme dixhitale, etj.

    Konferenca ishte një mundësi për të ndarë praktika të mira, jo vetëm brenda BE-së por edhe nga mbarë bota, me qëllim promovimin e bashkëpunimit më efektiv brenda Ballkanit Perëndimor dhe me BE-në.

    Konferenca nxiti diskutime dinamike që projektojnë udhën drejt së ardhmes ekonomike të rajonit dhe avokojnë bashkëpunimet progresive. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për novacion dhe një qasje të re drejt lehtësimit të tregtisë, si premisë për një trajektore të ndritshme dhe solide për lulëzimin ekonomik të rajonit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!