×
  • Lajme
  • Ekonomi / Rritja ekonomike

    Kosova mirëpret për herë të parë “Government Borrowers Forum” me përfaqësues nga e gjithë bota

    Reporteri
    14 Qershor 2024 | 14:25

    Kosova u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ishte nikoqire e Forumit të 41-të “Government Borrowers Forum”, përcjell Reporteri.net.

    Forumi i organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në bashkëpunim me Bankën Botërore, mblodhi së bashku mbi 70 pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës për të diskutuar tema që ndërlidhen me tregjet e kapitalit ndërkombëtar dhe menaxhimin e borxhit, parashikimin dhe tendencat globale të tregut, politikën monetare, financat e qëndrueshme dhe rritjen ekonomike.

    “Në këtë forum, të pranishëm ishin figura të rëndësishme nga skena financiare ndërkombëtare, duke përfshirë Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Z. Jorge Familiar, dhe përfaqësuesit më të lartë të thesareve dhe institucioneve financiare nga shtete të Azisë, Evropës, Lindjes së Mesme, Amerikës Veriore dhe asaj Jugore”, thuhet në njoftimin e MF-së.

    Të pranishmit u pritën nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Nysret Koca.

    “Forumi zgjati nga data 10 qershor deri më datën 12 qershor dhe përveç diskutimeve të realizuara, të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me disa nga vendet me rëndësi historike për Kosovën duke përjetuar kështu nga afër kulturën dhe historinë e saj të pasur”, përfundoi njoftimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!