Krijimi i fondeve dhe grumbullimi i parasë në baza obligative e vullnetare nga ana e qytetarëve për t’i dal në ndihmë shtet, është një dukuri që në vendin tonë daton që moti. Fondet e tilla vazhdojnë të jenë prezente edhe në këto kohë, kur Kosova po qeveriset nga Albin Kurti, madje, janë më aktive se ndonjëherë më parë. Mirëpo, a kanë bazë ligjore këto fonde dhe sa janë gjasat që paratë e qytetarëve të dorëzuara në këto nisma shtetërore të keqpërdorën? Syri.net sjell më poshtë disa versione, sidomos për fondet e famshme, të Sigurisë dhe ai për t’i dalë në ndihmë Ukrainës.
‘Fondi i 3%’, ‘Vendlindja Thërret’, ‘Fondi për të akuzuarit në Hagë’, ‘Fondi për Siguri Publike’ e ‘Fondi për Ukraninën’ janë vetëm disa nga nismat e ‘famshme’ shtetërore që janë bërë që moti, atëherë kur është dashur që populli të kontribuojë edhe përmes dhurimit të të hollave.
Ndërsa, kohëve të fundit, vëmendjen më të madhe e kanë marrë fondet, si ai për të akuzuarit në Hagë, për të paguar mbrojtjen e tyre, ‘Fondi për Siguri Publike’ dhe së fundmi propozimi i Donika Gërvallës, për të krijuar një fond për t’i dal në ndihmë shtetit ukrainas, që po përballet nga agresioni rus.
Mirëpo, gjithë këto fonde, a kanë bazë ligjore dhe si duhet krijuar një fond i tillë, në çfarë mbështetje në mekanizma ligjor?
Në një bisedë për Syri.net Kosova, Ehat Miftaraj, ekspert i ligjit, nga IKD, ka thënë se vendi ynë nuk ka korniza ligjore adekuate për krijimin e fondeve të tilla dhe se iniciativat e tilla nuk duhet që assesi të kalojnë përmes vendimeve administrative.
“Republika e Kosovës nuk ka kornizë ligjore adekuate, përmes së cilës institucionet sikurse është Qeveria e Republikës së Kosovës, të hapin llogari që dedikohen për grumbullimin e mjeteve financiare për fonde të caktuara sikurse është Fondi i Sigurisë apo për grumbullimin e mjeteve financiare për qëllime humanitare, sikurse u fol në publik për themelimin e fondit për Ukrainë. Nëse e lexojmë Vendimin e Kryeministrit Kurti, për themelimin e Fondit për Siguri, e vërejmë se baza ligjore mbi të cilin është themeluar ky Fond është bazuar kryesisht në nenin 96 të Kushtetutës i cili përcakton në parim kompetencat e Kryeministrit të Kosovës dhe nenin 6 të Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, prapë i njëjti nen është i përgjithshëm dhe flet se Kryeministri në ushtrimin e kompetencave të përcaktuara në Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë, koncepton, propozon dhe zbaton drejtimet kryesore të politikës shtetërore dhe përgjigjet për to dhe bashkërendon dhe kontrollon punën e anëtarëve të Qeverisë.
Me fjalë të tjera, nuk ka ndonjë bazë ligjore adekuate që rregullon dhe përcakton parimet bazë se si themelohet këto fonde, se si menaxhohen, se cili është destinimi i këtyre fondeve, transparencën lidhur me menaxhimin e këtyre fondeve, konsultimet apo komunikimin me grupet e interesit. Në këtë drejtim, duke marr për bazë gjithë këto, qeveria e Kosovës apo institucionet ekzekutive nuk duhet që iniciativa të tilla të ndërmarrin përmes vendimeve administrative të cilat edhe në rastet kur lexohen nga qytetarët laik, e kuptojnë se kanë defekte serioze si në kuptim të bazë ligjore ashtu edhe në arsyetimin e vet vendimit” tha Miftaraj.
Për këtë arsye, sipas Miftarajt, kur ka interes nacional lidhur me iniciativa të tilla, është e domosdoshme që të njëjtat të kalojnë përmes debatit publik, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe vetëm përmes iniciativave ligjore dhe assesi vendimeve administrative dhe se iniciativat e tilla duhet të kalojnë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Nëse fondet e tilla keqpërdoren, Miftaraj tha se kjo gjë konsiderohet si keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe si korrupsion.
“Sipas Kodit Penal në çdo rast kur zyrtarët publik abuzojnë me detyrat dhe përgjegjësitë zyrtare, këto veprime janë të sanksionuara si vepra penale brenda kapitullit të veprave penale të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare” përfundoi ai.
Nga ana tjetër, duke qenë se këto fonde janë hapur pikërisht tani kur është thelluar kriza ekonomike në Kosovë, me rritje të mëdha të çmimeve të produkteve të ndryshme, sa mund qytetarët të kontribuojnë në fonde të tilla?.
Ndonëse jo kontribut obligativ, qytetarët e Kosovës në mënyrë indirekte “obligohen moralisht” që të kontribuojnë për shembull në ‘Fondin e Sigurisë’, ku paratë e tyre shkojnë në të mirë të Ushtrisë së Kosovës, e kjo gjë padyshim i prek në xhep.
Mirëpo, për ekonomistin kosovar, Mustafë Kadrijaj, një kontribut i tillë nuk është gjë e madhe për qytetarin.
Në një bisedë për Syri.net Kosova, ai se fondi siç është ai për Siguri, s’i ka pritshmëritë, pasi, jeta e qytetarëve po rëndohet, mirëpo, prapë se prapë, dhënia e parave për këtë fond mbet në suaza vullnetare.
“Vlerësoj që në këtë rast nuk dëmtohet qytetari për faktin që është fund vullnetar kështu që secili sipas mundësisë, kontribuon. Problem mbetet tek fondi i cili nuk do i arrin pritshmëritë për faktin që jeta e qytetarit çdo ditë e më shumë po rëndohet. Tani e tutje, duhet të reflektojë qeveria me politika mbështetëse për biznese dhe qytetarë, që të tejkalohet një situatë e tillë, e cila çdo ditë po e rëndon jetën e qytetarit” tha Kadrijaj.
Sa i përket qytetarëve, ata klasifikojnë fondet se ku t’i japin paratë e tyre.
Disa qytetarë për Syri.net Kosova, në ‘VOX POP-et’ e realizuara, kanë dhënë disa mendime sa i përket fondeve, duke thënë se do jepnin para vetëm për ushtrinë.
“Për ushtrinë do jepja gjithë familjen e jo vetëm para, pasi, shteti mbahet vetëm me ushtri” tha një qytetar.
Kurse, një tjetër, i moshës së shyter, i tha Syrit se ”Albin Kurti duhet t’i ndal pensionet e të moshuarve e ata para t’ua dërgojë ushtarëve. Unë për veten time e dha pensionin tim për shtet”.
Mirëpo, duke u bazuar përsëri në gjendjen ekonomike, kur është fjala për Fondin e Sigurisë, qytetarët e Kosovës janë në gjendje t’i japin edhe 2-3 eurot e fundit.
Sido që të jetë, Kosova e fondeve të shumta, po vazhdon që të mbështetet te qytetari i saj, sa herë që ka nevojë për ngritje të performancave, ani pse nuk mungon as ndihma e shteteve mike, për kauza të ndryshme shtetërore.