×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Ministri Murati: Paga mesatare në sektorin publik, gati dyfishi i asaj në sektorin privat

    Reporteri
    03 Shkurt 2023 | 17:41
    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

    Ministri i Financave, Punës, dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se, me ligjin e ri, paga mesatare në sektorin publik do të jetë gati dyfishi i asaj në sektorin privat.

    “Në vitin 2021 ka qenë 612 euro paga mesatare, në vitin 2022 është 620 ndërkaq në vitin 2023 pritet të jetë 730 euro. Nuk mund të flasim për paga të padinjitetshme, përkundrazi nëse e krahasojmë me sektorin privat, në sektorin privat paga mesatare për vitin 2021 ka qenë 490 euro”, tha ministri gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai tha se, në vitin 2021, paga mesatare në sektorin privat ka qenë 490 euro, ndërkaq në atë publik ka qenë 612, ndërsa tani është 730 euro.

    “Mendoj që secili pajtohemi, do ta shohim në fund të muajit shkurt se sa do t’u dalë paga, e që mesatarja është 730 euro, kurse sa për llogaritje që i paskeni bërë, nuk e di, mirëpo unë siç e thashë në vitin 2022 ka qenë 620, dhe këtu e kam edhe raportin e Agjencisë së Statistikave ku në vitin 2021 ka qenë 612 euro paga mesatare. Pra, 612 ka qenë veçse në vitin 2021 dhe kjo është e konfirmuar nga agjencia e statistikave”.

    Ministri Hekuran Murati po ashtu theksoi se do të ketë shtesa për punëtorët që vendosin të angazhohen ekskluzivisht vetëm në sektorin e shtetit.

    “Do të ketë edhe shtesë mbi pagën bazë me shtesat tjera për të gjithë ata që të vendosin të punojnë ekskluzivisht për sektorin publik, pra duan të jenë të lidhur vetëm me sektorin publik dhe nuk punojnë askund tjetër në sektorin privat, pra që të mos kemi më mjekë specialistë ku punojnë dy-tri orë në ditë në sektorin publik, dhe në kohën tjetër kalon në sektorin privat”, ka thënë Murati.

    Megjithatë, ai shtoi se këto shtesa do shkojnë duke u tkurrur pasi vitin e ardhshëm pritet rritje e koeficientit në 110 euro.

    “Kemi shtesa tranzitore, që parasheh Ligji për Pagat në sektorin publik. Që i bie në vitin e parë askujt nuk i zbritet rroga, pra në vitin e parë të zbatimit. Në vitin e dytë të zbatimit pra shtesat tranzitore është 50 për qind e diferencës mes pagës së re, pagës që ka qenë më herët dhe kjo diferencë shkon duke u tkurr, sepse vitin e ardhshëm ne do të kemi rritje të koeficientit, nga 105 në 110. Deri në vitin e tretë kur shtesat tranzitore do të largohen…”, ka thënë Murati.

    Murati tha se me Ligjin e Pagave për punëtorët e sektorit publik është krijuar një siguri.

    “Janë dy gjëra. E para ka siguri, pasi shtesat sot i ke nesër nuk i ke. Varet nga vendimi i eprorit. Paga bazë është me ligj, dhe vetëm Kuvendi mund ta ndërroj atë. Kur shkon në bankë dhe merr një kredi, vetëm paga bazë shikohet dhe merret parasysh. Çështja e dytë është përvoja e punës. Shtesa e përvojës së punës llogaritet mbi pagën bazë. Tjetër është që një polici t’ia llogarisësh përvojën e punës mbi pagën bazë 392 euro dhe tjetër gjë është mbi pagën 600 euro. Ka dallim kjo. Shtesat e përvojës së punës llogariten mbi pagën bazë dhe shtesat nuk janë përfshi në këtë përllogaritje. Si tërësi ka shtesa të ndryshme që kanë tavane, por tërësia e tyre arrin vlerën në 12 për qind”, ka shtuar ministri Murati. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!