Autor: Ardit Sejdiu
Aktualisht është muaji i Ramazanit, ku në rrugët e kryeqytetit të Kosovës, si dhe në qytete tjera të Kosovës, në tregje dhe markete të ndryshme vërehet fluks më i madh i qytetarëve, të cilët dëshirojnë që të furnizohen me ushqime për këtë muaj, shkruan Reporteri.net.
Në tregun e gjelbër të Prishtinës nuk mungojnë as ushqimet të cilat janë karakteristike për muajin e Ramazanit, duke mos harruar hurmat, fikun si dhe produkte tjera ushqimore.
Si rezultat i Ramazanit tregtarët janë mobilizuar në një masë të madhe, duke përfshirë edhe tregjet si dhe marketet nëpër qytetet e Kosovës.
Mirëpo, ajo çfarë po shqetëson qytetarët e Kosovës, veçmas personat që agjërojnë muajin e Ramazanit janë ngritja e çmimeve pikërisht në muajin e Ramazanit, e që shumë qytetarë tregtarët i kanë quajtur “mjeshtër të fasadave”, duke aluduar se bëhet një zbritje e lehtë e disa çmimeve, por kur je brenda marketeve sheh se vazhdon ngritja e çmimeve të artikujve të tjerë.
Kësisoji, çmimi i një kilogrami të domateve është hiç më pak se 2 euro e gjysmë, duke përmendur edhe atë të specave të djegëst, për të cilët qytetarët kishin raportuar javë më parë se një kilogram i llojit të specave të djegëst kishte mbërrijtur vlerën prej 7.99 euro.
E, njësoj si shumë agjërues e qytetarë të Kosovës mendon edhe drejtuesi dhe themeluesi i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku i cili i tha Gazetës Online, Reporteri.net se tregtarët vazhdimisht përdorin trajta “djallëzore”, në mënyrë që të përfitojnë dhe të zhvasin qytetarin e familjen kosumatore, ku përmend rastin e ngritjes së çmimit të vajit ushqimor, ngritje kjo sipas së cilit ishte mbi 150 për qind.
Ndërkaq, shton se tregtarët edhe në muajin e Ramazanit, duke u munduar t’i “joshin” konsumatorët i ulin disa çmime të disa artikujve, por brenda marketit thotë se ka befasi tjera, teksa përmend se ngriten çmimet e artikujve të tjerë, ku përveç kësaj ata bëjnë edhe cungim të peshës si dhe manipulime të datës së skadencës.
“Gjatë Muajit të madhërishëm të Ramazanit, sa për t’i joshur qytetarët konsumatorë, ulen çmimet e disa artikujve. Por, brenda në market na presin shumë befasi tjera. Na presin shumë artikuj të tjerë me çmime të ngritura – jo vetëm nominale por edhe në cungim të peshës, vëllimit, shmangëje nga receptura e deklaruar, manipulimi i datës së skadencës, produktet e kontrabanduara, kushte jasht standardesh”, tha Kaçaniku.
Vlen të përmendet se ky Ramazan, që nga pandemia Covid-19 do të jetë me masa më të lehta sa i përket menaxhimit të pandemisë nga ana e institucioneve.
Përveç ngritjes së çmimeve të domateve si dhe specave, qytetarët e Kosovës janë përballur edhe me ngritjen e çmimit të vajit ushqimor, derivateve si dhe atë të energjisë elektrike.
Ndërkaq, pas ngritjes së çmimit të vajit nga 1.90 në 3.50 euro, në 10 mars të këtij viti, Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë aksion të inspektimit dhe bastisjes së depos kryesore të zinxhirit të marketeve “Viva Fresh Store” në Çagllavicë./Reporteri.net/.