×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Njohësi i integrimeve evropiane deshifron mashtrimin e Vetëvendosjes se Kosova përfiton 4.2 miliardë euro nga një program i BE’së

    Reporteri
    12 Maj 2023 | 17:57

    Në një postim në rrjete sociale, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se Kosova është bërë pjesë e një programi të rëndësishëm të BE-së, që do t’i sjellë vendit shuma të majme parash.

    Bëhet fjalë për programin “Tregu i Përbashkët”, prej të cilit VV-ja konsideroi se Kosova do t’i përfitojë 4.2 miliardë euro, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ky program do të mbështesë sektorët e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program”, u tha në njoftimin e partisë në pushtet.

    Mirëpo njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, e ka demantuar si të rremë këtë deklarim të Lëvizjes Vetëvendosje, për 4.2 miliardë euro buxhet.

    Ai ka thënë se kjo shumë mund të jetë vlera totale e programit, që u takon të gjitha shteteve që janë pjesë e tij, e jo vetëm Kosovës.

    “Ky publikim nga VV duhet të jetë një keqkuptim nga ata që e postuan. €4.2 Miliardë mund të jetë vlera totale e programit për të gjitha vendet pjesëmarrëse. Kosova nuk i përfiton €4.2 miliardë siç pretendohet”, shkroi Muharremi.

    Njëherit, ai tha se Kosova mund të përfitojë vetëm një pjesë modeste të këtij buxheti mbi 4 milionë dollarësh, edhe atë kur flitet në terma afatgjatë.

    “Gjithashtu, programet e këtilla të BE janë të programuara në kornizën kohore 7 vjeçare. Pra, në kontekst të Kosovës e cila shumë mirë që është anëtarsuar në këtë mekanizëm ende nuk ka përfituar asnjë fond por mund të marrë pjesë në të ardhmën dhe nese ka kapacitete mund të përfitoj një pjesë modeste”, tha ai.

    Lajmi për anëtarësim të Kosovës në “Tregun e Përbashkët” të BE-së, e bëri të ditur sot Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

    Marrëveshja u nënshkrua po sot, nga përfaqësuesja e BE-së në këtë program Kerstin Jorna, dhe ministrja Rozeta Hajdari.

    “Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, bëri të ditur njoftimi i MINT.

    “Kjo do të thotë se bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve jo anëtare, që janë pjesëmarrëse të pjesshme ose të plota në këtë program”, u tha tutje në njoftim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!