Sërish në Komisionin për Buxhet dhe Transfere nuk është miratuar në parim të Projektbuxheti për vitin 2021.
Ditë më parë, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi gjatë prezantimit të Projektbuxhetit për vitin 2021 në këtë Komision, kishte theksuar se të hyrat buxhetore për vitin e ardhshëm pritet të jenë mbi 1 miliardë e 800 milionë euro ose 5 për qind më shumë se në vitin paraprak.
Derisa sipas Krasniqit shpenzimet buxhetore për vitin 2021 do të jenë 2 miliardë e 412 milionë euro.
Për këtë Projektbuxhet, kishte pasur kritika nga deputetët e opozitës për ndarjet buxhetore, që sipas tyre është shkurtuar buxheti për shëndetësi dhe është rrit buxheti për infrastrukturë.
Kësisoj ata u shprehën se nuk do ta mbështesin këtë buxhet.
Po ashtu, në këtë Komision është shqyrtuar raporti vjetor financiar për Radiotelevizionin e Kosovës për vitin 2019 ku pati kritika nga opozita për menaxhimin e RTK. Ndonëse nuk pati edhe kuorum për votim, transmeton kp.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota gjatë raportimit tha se është arrit të shpenzohet dhe menaxhohet buxheti me kujdes në bazë të kodeve ekonomike dhe me kontrata të caktuara.
“Ne jemi përpjekur që të menaxhojmë me kujdes veprimtarinë e RTK-së në të gjitha pikat, edhe sa i përket pjesës financiare. Duke ditur edhe një fakt që RTK punon në kushtet jo të mira infrastrukturore që ndikon edhe në përformancën më të mirë të punës… Me këtë raport të prezantuar sot, RTK-ja ka evidentuar dhe paraqitur të gjitha transaksionet që lidhen me të hyrat e shpenzimet për vitin 2019”, theksoi Bashota.
Deputeti Fatmir Rexhepi nga LDK-ja tha se raporti është i mirë sa i përket raportit financiar të RTK-së. Derisa Rexhepi foli edhe për kushtet e rënda infrastrukturore në RTK, që sipas të cilit janë të vështira për punë.
“Ajo që u tha këtu, është komplementare sa i përket buxhetit vjetor, me menaxhimin e financave, me transparencën, për shpenzimet, kategoritë dhe gjithë sektorët sipas veprimtarisë që i ka pasur RTK-ja. Prandaj, s’kam çka me ushtuar më shumë, qoftë edhe në realizmin komplet të skemës programore, pra në bazë të planifikuar. Vulën kryesore e ka dhënë vet auditori. Ajo që u tha mbetet për një bashkëpunim nëse ka mundësi, por ky është një problem që është theksuar edhe më herët sa I përket kushteve të punës, infrastrukturës dhe të tjera. kjo nuk është e lehtë, donë një zgjidhje më afatgjate”, theksoi Rexhepi.
Kundër kësaj deklarate nga kolegu i tij ka reaguar kryetari i Komisionit, Hekuran Murati, i cili ka përmendur disa nga shpenzimet dhe kontratat për programe dhe emisione televizive, që sipas tij janë të pa arsyeshme dhe paradoksale.
Deputeti Murati nga VV-ja përmendi shpenzimet veç e veç për disa kontrata. Ai tha se për filma nga “Top Shop” janë shpenzuar 115 mijë euro, për programin “Gjyshet milionere” me 75 mijë euro, seriali “Pleqtë” me 134 mijë euro, emisioni “Udhëtim me shije” me 60 mijë euro, emisioni “Jeta dhe Drejtësia në Kosovë” me 54 mijë euro. Po ashtu, për emisionin “Rrënjët tona” me 54 mijë euro, shpenzimet e udhëtimit zyrtarë mbi 100 mijë euro, për internet 112 mijë euro ose 9 mijë euro në muaj, për kompjuterë 220 mijë euro.