×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Qarkullimi i parave false, disa ndërmarrje në Kosovë nuk e pranojnë monedhën 2 euro

    Reporteri
    23 Janar 2023 | 22:00
    Fotografi ilustruese

    Qarkullimi i parave false në Kosovë ka bërë që disa ndërmarrje të mos pranojnë pagesa me monedha në vlerë prej 2 eurosh. Një nga to është edhe kompania e ujësjellësit “Prishtina” dhe ndërmarrja “Prishtina Parking”.

    Njoftime ku thuhet se nuk pranojnë pagesa me monedha 2 euro, tashmë janë vendosur në shumë pika të ndryshme të Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtinë”.

    Ky veprim po arsyetohet se vjen pas rasteve të shtuara të qarkullimit të monedhave false të kësaj vlere në treg.

    Megjithatë, kjo po shkakton vështirësi për qytetarët gjatë pagesave.

    Nga Ujësjellësi “Prishtina”, në përgjigje me shkrim për RTK-në, kanë thënë se pas rasteve të shtuara, e vetmja mënyrë që të lëshohen në qarkullim janë që kur kjo kompani të blejë aparate në identifikimin/verifikimin e parave metalike dhe për këtë kanë thënë se janë në bisedime për blerjen e tyre.

    Sidoqoftë, edhe ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, ka dalë me njoftimin e njëjtë ku thotë se nuk pranon pagesa të kësaj vlere.

    Nga kjo ndërmarrje kanë thënë se arsyeja e ndalimit të monedhës 2 euro ka të bëjë me dëmin financiar që i shkaktohet ndërmarrjes si dhe me procedurën dhe trajtimin e tyre. Por njoftojnë së kanë pranuar një pajisje donacion për detektim të monedhave të falsifikuara dhe janë në pritje edhe për pajisje tjera.

    Në lidhje me këtë situatë, Banka Qendrore e Kosovës është përgjigjur duke listuar detyrimet për Institucionet financiare.

    Mes tyre, BQK thotë se këto institucione duhet të sigurojnë së të gjitha kartëmonedhat dhe monedhat euro dhe valutat e tjera që pranojnë gjatë veprimtarisë së tyre, t’i kontrollojnë për vërtetësi dhe përshtatshmëri me anë të makinerive për procedimin dhe trajtimin e kartëmonedhave dhe monedhave sipas standardeve.

    Po ashtu institucionet janë të detyruara të sekuestrojnë dhe tërheqin nga qarkullimi, kartëmonedhat dhe monedhat euro, dhe valutat e tjera për të cilat dyshojnë që janë të falsifikuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!