×
  • Lajme
  • Ekonomi / Komunikatë për media

    U mbajt konferenca “Ndikimi i Liberalizimit të Vizave: Sfidat dhe Mundësitë për Bizneset në Kosovë”

    Reporteri
    06 Dhjetor 2023 | 16:08

    Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK-KDWV), bashkë me Organizatën Ndërkombëtare për Migracion (IOM Kosovo), Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë (FES), si dhe Kantar (Index Kosova), organizuan konferencën “Ndikimi i Liberalizimit të Vizave: Sfidat dhe Mundësitë për Bizneset në Kosovë”.

    Ngjarja mblodhi figura të rëndësishme nga qeveria, organizatat ndërkombëtare dhe komuniteti i biznesit për të shqyrtuar përfitimet e mundshme dhe sfidat që dalin nga liberalizimi i vizave për Kosovën.

    Konferenca trajtoi tri tema përgjatë tri paneleve të diskutimit. Filloi me një diskutim mbi liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e fuqisë punëtore në Kosovë, duke u pasuar nga një diskutim tjetër me ekspertë dhe përfaqësues të biznesit mbi pasojat ekonomike të rritjes së lëvizjes së fuqisë punëtore. Dhe në fund paneli i tretë dha rekomandime për politikat e migracionit dhe punësimit.

    Nora Hasani, drejtoreshë ekzekutive e OEGJK-KDWV, tha se rezultati më i madh i kësaj konference është se u analizuan tema të nxehta që janë shumë të rëndësishme për sektorin privat, në lidhje me migrimin e rregullt dhe mungesën e fuqisë punëtore. “Kemi pasur fatin të kemi një grup ekspertësh si panelistë në këtë konferencë, të cilët e kanë analizuar në thellësi sfidat dhe mundësitë që ofron liberalizimi i vizave për bizneset në Kosovë”, tha Hasani.

    Anna Rostocka, shefe e misionit të IOM Kosovo, e vlerësoi konferencën për nxitjen e diskutimeve mbi ndikimin e liberalizimit të vizave në punë dhe peisazhin socioekonomik të Kosovës, duke mundësuar palëve të interesuara të zhvillojnë zgjidhje praktike.

    “Migrimi kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin e qëndrueshëm duke mundësuar transferimin e aftësive, duke rritur fuqinë punëtore, duke nxitur investimet dhe diversitetin kulturor. Përfshirja e sektorit privat së bashku me subjektet publike është thelbësore për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj migrimit dhe për të adresuar nevojat e tregjeve të punës, individëve dhe komuniteteve. Kjo ngjarje lehtëson ndarjen e njohurive, midis palëve të interesuara, në mënyrë që të maksimizohet përfitimi i migrimit për zhvillim”, tha Rostocka.

    Pjesëmarrës tjetër në konferencë ishin përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, i cili e vlerësoi ngjarjen si një gur themeli në fushatën paraliberalizimit të vizave. Teksa, ambasadori gjerman Jorn Rohde, theksoi rëndësinë e liberalizimit të vizave, së bashku me kompani dhe organizata të ndryshme pjesëmarrëse.
    Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare do të ndajë konkluzionet e konferencës me të gjitha palët kyçe, duke kontribuar në qasje optimale për respektimin e rregullave të liberalizimit nga individët dhe bizneset në Kosovë.

    Kjo konferencë, e organizuar në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracion (IOM Kosovo), Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë (FES) dhe Kantar (Index Kosova), ofroi një përvojë të pasur të ndarjes së njohurive. Pjesëmarrësit përfituan informata të çmuara, shkëmbyen ide dhe krijuan bashkëpunime strategjike për përparimin e komunitetit biznesor në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!