×
  • Lajme
  • Lajme / Tarifat

    Elektrosever: Shtrenjtimi i rrymës prej 16.1% nuk vlen për katër komunat veriore

    Reporteri
    28 Prill 2025 | 21:50

    Kompania “Elektrosever” ka thënë se shtrenjtimi i rrymës për 16.1 përqind nuk i prek katër komunat veriore.

    Kjo kompani ka thënë se për momentin nuk planifikon rritje të çmimit të energjisë elektrike.

    “Informacioni se rryma në Kosovë po rritet për 16.1 për qind nuk vlen për katër komunat veriore, përkatësisht për konsumatorët që i furnizojmë me energji elektrike”, kanë deklaruar nga kjo kompani për “Kossev”, përcjell Reporteri.net

    Elektrosever është një kompani në pronësi të Elektroprivreda Srbije (EPS), e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.

    Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ZRrE-ja në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, ku kanë thënë se Elektrosever ka licencë për katër komunat në veri, dhe se s’përcakton tarifa të energjisë për këtë furnizues.

    “Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji me datë 16.04.2025 ka aprovuar tarifat për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU), konform dispozitave ligjore të përcaktuara në Ligjin për Rregullaorin e Energjisë. ZRrE konform dispozitave ligjore të Ligjit për Rregullatorin e Energjise dhe Ligjit për Energjinë Elektrike obligimin e shërbimit universal ia ka dhënë Furnizuesit KESCO për tërë territorin e Republikës së Kosovës.Gjithashtu, duhet theksuar se Furnizuesi i energjisë elekrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për katër komunat në veri të Kosovës. Kjo është e përcaktuar në pikën 5 të Marrëveshjes për Energjinë. Pra, ZRRE nuk përcakton tarifa me pakicë të energjisë elektrike për Furnizuesin Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së për Reporteri.net.

    Më 11 prill, Zyra e Rregullatorit të Energjisë vendosi që rryma të shtrenjtohet për 16 përqind.

    Përmes një njoftimi që patën bërë, ZRrE thoshte se rritja është për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    “Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%”, thuhej në njoftim e 11 prillit.

    /Reporteri.net/

    Vendimi për shtrenjtimin e rrymës 16.1% s’përfshin komunat veriore, flasin nga ZRrE-ja

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!