Djali i Hashim Thaçit, Endriti, së bashku me vëllezërit e ish-presidentit të Kosovës, janë parë duke hyrë në objektin e Gjykatës Speciale në Hagë, ku sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Endrit Thaçi është deklaruar shkurt para hyrjes në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ai tha se pret që vendimi të jetë në favor të të gjithë të akuzuarve, ndërsa theksoi se për më shumë detaje do të flasë pasi të përfundojë shpallja e vendimit.
“Pres liri për të gjithë, për më shumë detaje pas vendimit do të prononcohem”, u shpreh Endrit Thaçi teksa po hynte në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në Gjykatën Speciale sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Interesimi për seancën është i madh, ndërsa pranë objektit janë të pranishëm familjarë, qytetarë dhe përfaqësues të mediave.