×
  • Lajme
  • Lajme

    Erdogan nuk uron Kurtin për fitore, Turqia hesht për zgjedhjet dhe fitoren e Vetëvendosjes

    Reporteri
    16 Shkurt 2021 | 18:33

    Ka dy ditë që Kosova ka mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Tanimë dihet edhe fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai është Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat i kësaj partie për kryeministër.


    Shumë fjalë të mira u thanë nga ndërkombëtarët për organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve në Kosovë.

    Madje BE, qeveri e ambasadorë të vendeve mike, përfshirë ShBA-në, Gjermaninë, Austrinë etj., theksuan gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e re, që pritet të udhëhiqet nga Kurti.

    Por gati krejt e heshtur për zgjedhjet dhe fituesin e tyre është Turqia, e cila së fundmi ka kritikuar Kosovën për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem, shkruan Reporteri.net.

    Ambasada turke në Prishtinë ka nxjerrë vetem një postim në lidhje me zgjedhjet, në ditën që u mbajtën ato.

    Në Facebook-un e ambasadës u theksua se kanë monitoruar zgjedhjet e së dielës, në Prishtinë, Prizren e Mamushë.

    “Urojmë që zgjedhjet e 14 shkurtit të jenë të dobishme për Kosovën”, shkroi Ambasada e Turqisë, duke i bashkangjitur fotografi të ekipit monitorues.

    Por për dallim nga homologët e tij amerikan, britanik, gjerman e francez që vizituan shumë qytete të Kosovës, Ambasadori turk, Cagri Sakar, nuk doli në vizitë nëpër shkollat ku ekipi i Ambasadës turke qëndroi, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    E heshtja e Turqisë vazhdon edhe dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve.

    As Presidenca e as Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë nuk kanë lëshuar asnjë komunikatë për këtë çështje.

    Ndryshe ishte në zgjedhjet e mëparshme. Në vitin 2009 e 2010, MPJ e Turqisë kishte lëshuar komunikata për zgjedhjet lokale e nacionale, duke vlerësuar mbarëvajtjen e tyre.

    Madje, presidenti Recep Tayyip Erdogan, atëbotë kryeministër i Turqisë, kishte telefonuar Hashim Thaçin, që atëherë drejtonte PDK-në dhe ishte kryeministër në detyrë, për t’i uruar fitoren në zgjedhje.

    Kujtojmë që kohëve të fundit, Ankara ka ftohur marrëdhëniet me Prishtinën për shkak të hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, gjë të cilën shteti turk e kundërshtoi ashpër.

    Ndonëse beson se ka një ftohje të lehtë në marrëdhëniet Kosovë-Turqi, Blerim Latifi, profesor universitar, thotë se mos urimi nuk lidhet më këtë ftohje.

    “Nuk mendoj se mungesa e urimit për zgjedhjet nga ana e Ankarasë lidhet më këtë ftohje. Me gjasë ka të bëj me çështje vendimesh procedural. Mund të presin zyrtarizimin e Kurtit si kryeministër që ta bëjnë kurtuazinë diplomatike të urimit”, tha Latifi për Reporteri.net.

    Ndërkaq, gazetarja dhe analistja turke e Ballkanit, Dilek Kutuk, tha për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, se heshtja e Ankarasë për zgjedhjet lidhet me zhvillimet e brendshme të shtetit turk dhe vendosjen e Ambasadës kosovare në Jerusalem.

    “Arsyeja e mos deklarimit të Turqisë për zgjedhjet në Kosovë mund të jetë çështja e PKK-së. Që disa ditë Turqia është e pikëlluar me vrasjen e 13 civilëve nga ana e PKK-së dhe është e zënë me këtë çështje. Po ashtu Turqia është zhgënjyer me vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Qeveria në ardhje e Kurtit kujdeset për marrëdhëniet me Izraelin dhe po vepron në mënyrë pragmatike. Andaj mendoj se Turqia po pret përfundimin e procesit”, tha Kutuk të martën.

    Por ndryshe mendon njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti.

    “Është një lloj rregulli protokolar që shtetet urohen mes vete për ditë të veçanta. Rezervimi nga ky rregull nënkupton ftohje të raporteve të ndërsjella”, tha Hoti për Reporteri.net.

    Turqia është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndër vite Prishtina dhe Ankara kanë kultivuar marrëdhënie të mira diplomatike.

    Relacione të mira personale kishin edhe udhëheqësit e dy vendeve e posaçërisht Thaçi dhe Erdogan, të cilët shpesh herë e quanin njëri-tjetrin vëlla.

    Kujtojmë që Turqia është njëri nga investitorët më të mëdhenj në Kosovën e pasluftës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!