×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Escobar komenton marrëveshjen energjetike të Kosovës me MCC’në, thotë se thellon bashkëpunimin me ShBA’në

    Reporteri
    28 Korrik 2022 | 19:21

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i tha Zërit të Amerikës pas nënshkrimit të marrëveshjes energjetike mes Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës se marrëveshja është shenjë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

    “Kosova është një partner jashtëzakonisht i mirë në rajon, është një vend kompentent në marrëdhënien tonë në rajon. Gjithçka që mund të bëjmë për ta thelluar bashkëpunimin, jemi të lumtur ta bëjmë”, tha ai.

    Kjo marrëveshje, e cila pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës, është nënshkruar të mërkurën në Uashington nga ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Alice Albright.

    Vlera e përgjithshme e saj është 236.7 milionë dollarë.

    Në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës, lidhur me rrezikun e ndikimit të situatës së krijuar në Ukrainë dhe synimeve të Moskës te Ballkani Perëndimor, Escobar u shpreh optimist për zmbrapjsen e këtyre synimeve në rajon.

    “Asnjëherë nuk kemi parë një unitet të tillë që kemi tani brenda NATO-s dhe unitetin që kemi me partnerët tanë evropianë për t’u siguruar që siguria evropiane është përparësia jonë më e madhe. Në këtë kontekst e konsiderojmë edhe Ballkanin Perëndimor dhe besoj që Ballkani Perëndimor do të jetë në rregull”, tha ai.

    Ai shtoi se megjithë sfidat e ndryshme, të gjitha vendet e rajonit kanë përkrahjen dhe vëmendjen e Shteteve të Bashkuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!