I dërguari special amerikan për dialogun dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se mbështesin drejtësinë për viktimat e luftërave gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Escobar këtë e tha kur u pyet gjatë konferencës virtuale me gazetarë, mbi veprimet e Dhomave të Specializuara karshi ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
‘’Epo, shikoni, nuk do të komentoj për punën e Gjykatës Speciale. Ne e mbështesim Gjykatën Speciale. Ne mbështesim drejtësinë për viktimat e luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë. Por unë do të shtyja gjykatën për pyetje specifike rreth të pandehurve dhe aktakuzave të veçanta’’, tha Escobar kur u pyet nga Klan Kosova.
Escobar foli edhe për dialogun. Ai tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.
Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.
“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.