×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar: ShBA e mbështet Kosovën, pres rezultat pozitiv nga takimi në Ohër

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 10:34

    I dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur në një konferencë për media pas takimit që kishte me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Escobar ka thënë se është optimist për një rezultat pozitiv nga takimi i nesërm në Ohër. Emisari amerikan ka përsëritur se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të siguruar paqe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe tërë rajonit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “I mirëpres takimet shumë produktive në Ohër bashkë me Kurtin dhe Vuçiq. Ne kemi për qëllim që të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë e pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euroatlantik dhe ne mendojmë se ky propozim evropian i lehtësuar nga BE-ja mundëson një shansë të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dyja vendeve. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë, por jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin që të zhbllokohet disa prej burimeve më të mira që Ballkani ia ofron vetes dhe të tjerëve. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam optimist, shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore dhe shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira”, është shprehur Escobar.

    Pas takimit me Osmanin, emisari amerikan ka nisur takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe më pas do të takohet edhe me kryeministrin Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!